Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për ndërhyrje në Kodin e Procedurës Penale, duke kërkuar ndryshimin e rregullave që lidhen me pezullimin e afateve të paraburgimit në çështjet me më shumë se një të pandehur.
Konkretisht, Apeli i GJKKO-së ka ankimuar nenin 265 të Kodit të Procedurës Penale, i cili rregullon pezullimin e afateve të paraburgimit, duke argumentuar se zbatimi aktual i tij krijon pabarazi mes bashkë të pandehurve në të njëjtën dosje.
Sipas gjykatës, në praktikë ndodhin raste kur një i pandehur ose avokati i tij nuk paraqitet në seanca gjyqësore, duke u bërë shkak për shtyrjen e procesit dhe mosrespektimin e afateve. Në këto raste, pezullimi i afateve të paraburgimit zbatohet njësoj për të gjithë të pandehurit, pavarësisht se vetëm njëri prej tyre ka shkaktuar zvarritjen.
Apeli i GJKKO-së thekson se një situatë e tillë cenon të drejtat e të pandehurve të tjerë, të cilët mund të kenë interes që gjykimi të përfundojë sa më shpejt. Ndërkohë, shtyrja e paraburgimit mund t’i shërbejë njërit prej të pandehurve si përfitim, pasi koha e qëndrimit në paraburgim llogaritet më pas në dënimin përfundimtar.
Sipas Gjykatës së Posaçme, shtrirja automatike e efekteve të pezullimit të paraburgimit mbi të gjithë bashkë të pandehurit përbën shkelje të Kushtetutës dhe të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Për këtë arsye, Apeli i GJKKO-së kërkon që neni 265 të shpallet i papajtueshëm me Kushtetutën, në pjesën që nuk parashikon zbatimin e personalizuar të pezullimit të afateve të paraburgimit vetëm për të pandehurin që bëhet shkak për zvarritjen e procesit gjyqësor.
Aktualisht, neni 265 i Kodit të Procedurës Penale nuk bën dallim mes të pandehurve dhe parashikon që vendimi për pezullim të afateve të paraburgimit të zbatohet njësoj për të gjithë. Gjykata e Posaçme kërkon që ky efekt të kufizohet vetëm ndaj personit përgjegjës për pengimin e gjykimit.



