Shqipëria po përballet me kritika serioze nga institucionet ndërkombëtare për përdorimin e gjerë dhe të zgjatur të masës së paraburgimit, duke u renditur ndjeshëm mbi mesataren e Bashkimit Europian dhe duke ngritur shqetësime të forta për respektimin e të drejtave të njeriut dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.
Këshilli i Europës konstaton se paraburgimi në Shqipëri po përdoret jo si masë e jashtëzakonshme, por si praktikë e zakonshme, veçanërisht në fazat e para të procesit penal. Shqetësimi u artikulua nga Gianluca Esposito, Drejtor i Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit në Këshillin e Europës, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATA).
“Situata jep shkak të vërtetë për shqetësim”, u shpreh Esposito, duke iu referuar gjetjeve të raportit më të fundit të Komitetit për Parandalimin e Torturës (CPT).
Sipas të dhënave zyrtare, në nëntor të vitit 2025, popullsia e burgjeve në Shqipëri ishte 4,578 persona, nga të cilët rreth 58% ndodheshin në paraburgim. Shkalla e paraburgimit arrin në 94.6 persona për 100,000 banorë, një nivel që Esposito e cilëson “katër deri në pesë herë më të lartë se mesatarja e Bashkimit Europian”.
Raporti i CPT-së thekson se Shqipëria mbetet ndër vendet me normat më të larta të burgosjes brenda Këshillit të Europës, ndërsa përdorimi në rritje i paraburgimit ka ndikuar drejtpërdrejt në mbipopullimin e qendrave të paraburgimit.
Një tjetër element shqetësues është kohëzgjatja e kësaj mase. Sipas Espositos, paraburgimi në Shqipëri zgjat mesatarisht 253 ditë, ose rreth 8.4 muaj, një periudhë që konsiderohet e tepërt dhe problematike nga standardet evropiane.
“Kohëzgjatja e tepruar e paraburgimit dhe mungesa e arsyetimit të mjaftueshëm nga gjykatat janë konstatuar edhe nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në disa vendime kundër Shqipërisë”, tha Esposito, duke përmendur çështjet Hysa, Strazimiri dhe Delijorgji.
Sipas tij, paraburgimi i zgjatur cenon drejtpërdrejt lirinë individuale dhe minon një nga parimet themelore të drejtësisë penale: prezumimin e pafajësisë.
Drejtori i Këshillit të Europës theksoi se zgjidhja e mbipopullimit në burgje nuk mund të vijë vetëm përmes ndërtimit të institucioneve të reja të vuajtjes së dënimit, por kërkon një ndryshim rrënjësor në mënyrën e përdorimit të paraburgimit.
“Kjo kërkon kufizimin aktiv të paraburgimit dhe dhënien përparësi masave alternative, në përputhje me parimin e prezumimit të pafajësisë”, u shpreh ai.
Edhe pse kuadri ligjor shqiptar në letër është kryesisht në përputhje me standardet ndërkombëtare, Esposito vuri theksin se problemi real qëndron në praktikën gjyqësore dhe kulturën ligjore.
“Përdorimi i tepërt dhe i paarsyetuar mjaftueshëm i paraburgimit, veçanërisht nga gjykatat e shkallës së parë dhe gjatë shqyrtimeve periodike, mbetet sfida kryesore. Vetëm ndryshimet ligjore nuk mjaftojnë”, theksoi ai.
Sipas jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, paraburgimi duhet të jetë masa e fundit, e justifikuar vetëm kur masat më pak kufizuese nuk janë të mjaftueshme dhe gjithmonë e bazuar në vlerësim individual.
Këshilli i Europës, tha Esposito, po e mbështet Shqipërinë përmes projekteve të bashkëpunimit që synojnë përkthimin e standardeve evropiane në përmirësime konkrete në praktikën gjyqësore dhe vendimmarrjen penale.
Ai shprehu besimin se autoritetet shqiptare do të ndërmarrin hapa të mëtejshëm për të adresuar problematikën, duke u mbështetur në praktikat më të mira të vendeve evropiane, ku paraburgimi përdoret me kursim, rishikohet rregullisht nga gjykatat dhe zëvendësohet gjerësisht me masa alternative, veçanërisht për individët vulnerabël.



