Ndryshimet në Ligjin për Veprimtari Hoteliere pritet të përfshijnë më shumë institucione dhe persona profesionist në fusha të caktuara të cilët do të vendosin nëse për një objekt të caktuar do të nis procedura për dhënien e licencës për të funksionuar si kabare, klub nate ose diskotekë. Zv ministri i Ekonomisë, Marjan Risteski tha se të gjithë personat që do të jenë pjesë e Komisionit do të mbajnë përgjegjësi për firmën e vendosur, si garanci për kushtet në objekt.
“ Propozimi ynë është që këtu të përfshihen profesionist nga më shumë institucione dhe më shumë fusha siç janë: Inspektorati Shtetëror i Tregut, Inspektorati i Punës, Ministria e Punëve të Brendshme, komuna gjithashtu duhet të ketë një rol të rëndësishëm posaçërisht në pjesën e urbanizmit, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, Drejtoria e të Ardhurave Publike dhe një sërë institucionesh të cilat do ta konfirmojnë mundësinë që objekti të nis procedurën për marrjen e licencës dhe jo të lihet siç ishte deri më tani me dispozitat ligjore”, tha Marjan Risteski, Zv.ministër i Ekonomisë.
Ndërkohë ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski tha se kontrollet në terren vazhdojnë, ndërsa aty ku konstatohen parregullsi jepet afat për përmirësimin e kushteve.
“Objektet ku konstatohet se ka ndonjë mospërputhje do t’u jepet afat për heqjen e saj në mënyrë që të garantohet siguria e të gjithë përdoruesve. Është e rëndësishme që Qeveria të parandalojë gjithçka që mund të parandalohet në mënyrë që të mos ndodhin ngjarje të pakëndshme në të ardhmen. Nëse objektet nuk e eliminojnë anomalinë e vërejtur në një të ardhme të parashikueshme, sigurisht që nuk do të mund dhe nuk do të kenë kushtet për të funksionuar dhe mendoj se do të mbyllen”, deklaroi Zllatko Perinski, ministër i Vetëqeverisjes lokale.
Kontrollet në shkolla, çerdhe, institucione ku kryesisht mblidhen të rinjtë u intensifikuan pas tragjedisë së rëndë në Koçan ku humbën jetën 59 persona. Kontrollet e deritanishme kanë nxjerrë në pah se shumë objekte nuk plotësojnë kushtet bazë, nuk kanë aparate për shuarjen e zjarrit, mungojnë hidrantët.