Ilir Alimehmeti, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ka folur për zhvillimet dhe sfidat e brendshme të partisë. Ai theksoi se reforma zgjedhore e diskutuar që më parë nuk ka favorizuar votën e lirë dhe përfaqësimin direkt të qytetarëve, duke e bërë këtë proces objekt kritikash brenda PD-së.
Sipas Alimehmetit, një tjetër problem ka qenë vendosja e koordinatorëve të qarqeve, ku kontributi dhe produktiviteti janë elementë kyç për të garantuar efikasitet në zgjedhje. “Që para një viti kemi diskutuar se reforma zgjedhore nuk ishte në favor të votës së lirë dhe përfaqësimit direkt të njerëzve, që u bë në mënyrë biletarale. Më pas kemi diskutuar vendosjen e koordinatorëve të çdo qarku; kontributi dhe produktiviteti janë të rëndësishëm, pasi në fund numërohet vota,” tha Alimehmeti, në Klan News.
Ai shtoi se procesi i primareve duhet ndjekur me kujdes, pasi gabimet mund të krijojnë pasoja, qofshin të vogla apo të mëdha, ndërsa gjithmonë ka individë të pakënaqur. Alimehmeti nuk la pa përmendur edhe problematicat me forcat aleate, të lidhura me numrin, përfaqësimin dhe vendin e tyre brenda partisë:
“Procesi i primarave do të duhet të ishte ndjekur më saktë. Nëse bëhen mirë janë një vlerë e shtuar, por nëse nuk bëhen siç duhet do të krijojë pasoja. Gjithmonë ka njerëz të pakënaqur. Patjetër që problematika pati, edhe me forcat aleate, për numrin, përfaqësimin dhe vendin e tyre.”
Alimehmeti ka nxjerrë në pah se reforma dhe primaret janë procese kyçe për PD-në, dhe mënyra se si menaxhohen mund të ndikojë në legjitimitetin e përfaqësimit dhe suksesin në zgjedhje.