back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024
spot_img
KreuAktualitetEkonomia“Parashikojmë rritje ekonomike ndër më të lartat në Europë”/ FMN kërkon ristrukturim...

“Parashikojmë rritje ekonomike ndër më të lartat në Europë”/ FMN kërkon ristrukturim të regjimit tatimor te profesionet e lira

FMN i kërkon qeverisë të vijojë me strukturimin e regjimit tatimor për profesione e lira dhe të heqjes së taksës zero për bizneset e vogla. Në konferencën e përbashkët për shtyp mes misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar,

Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë, shefja e misionit të FMN-së znj. Anke Weber teksa vlerësoi arritjet për ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale kërkoi të vijohet me heqjen e tatimit zero për profesionet e lira dhe bizneseve të vogla.

“Ekziston nevoja për të ruajtur përfitimet e arritura me mund, të qëndrueshmërisë fiskale. Një suficit i lehtë primar do ta vendosë borxhin publik në kahun rënës.

Përpjekjet për administrimin e të ardhurave që janë të parashikuara në strategjinë afatmesme që do të miratohet së shpejti, duhet të mbështetet nga përmirësimi i sistemeve informatike. Përpjekjet duhet të nisin për ristrukturimin e regjimit tatimor për profesionistët e vetëpunësuar dhe të heqjes së normës tatimore zero për bizneset e vogla. Puna përgatitore për ligjin e ri për tatimin mbi pronat duhet të përshpejtohet dhe të përfundohet në kohën e duhur.”

Ndër të tjera znj. Weber vlerësoi se ekonomia shqiptare ka shfaqur një perfomancë të fortë dhe se PBB-ja ka tejkaluar prirjet reale falë sektorit të turizmit.

“Ne parashikojmë rritje reale të ekonomisë me 3,6 % ndër më të lartat në Europë”, tha ajo.

Analiza e FMN sugjeron se konjektura aktuale e ekonomisë është e favorshme dhe është koha e duhur për të ndërmarrë reforma vendimtare, për të siguruar rritje të qëndrueshme.

“Pavarësisht progresit ekonomia shqiptare vijon të mbetet përballë disa sfidave. Axhenda e reformave do të përgatisë Shqipërinë për t’u bërë pjesë tregjeve të BE-së”.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp ministri i Financave dhe Ekonomisë z. Petrit Malaj tha se ekonomia shqiptare ka treguar rezistencë të lartë ndaj 3 goditjeve të mëparshme, ajo e pandemisë së Covid-19, ngjarjes së tërmetit të 2019-s dhe luhatjeve të tregjeve të huaja, pas agresionit të Rusisë në Ukrainë. Ai vlerësoi se kapërcimi i këtyre sprovave përbëjnë sinjal pozitiv për ecurinë afatmesme të ekonomisë.

Me tej ai tha se rritja ekonomike në 6- mujorin e parë të 2024-s është 3,9 % në terma vjetore.

Duke u ndalur me radhë te treguesit ekonomik, ministri i Financave dhe Ekonomisë z. Malaj tha se të gjithë këta tregues tregojnë transformimin pozitiv të ekonomisë dhe krijimin e modelit të qëndrueshëm.

“Sektori i turizmit ka vijuar të jetë një burim i rëndësishëm për ekonominë e vendit. Sinjalet e para për 3 mujorin e tretë janë premtuese. Bazuar në këto zhvillime kemi rishikuar me rritje parashikimet për rritjen ekonomike.

Inflacioni ka arritur një trajektore rënëse. Nivelet e inflacionit kanë qenë më të ulëta sesa mesatarja e Bashkimit Europian.

Flukset në rritjet nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja kanë ndikuar në forcimin e lekut.

Gjatë gjysmës së parë të 2024 kemi parë zhvillime pozitive në këto komponentë, në rritjen e të ardhurave nga sektori i turizmit me 25,4% dhe të remitancave prej 15%. Këto kanë ndihmuar në ngushtimin e deficitit”.

Malaj u ndal edhe në disa aspekte të projektbuxhetit 2025. Sipas tij projektbuxheti materializon 4 pika kryesore, rritje të qëndrueshme ekonomike prej 3,9% në 4 vitet e ardhshme, investime, mbrojtje sociale ku kemi alokuar 100 mln euro më shumë se vitin e kaluar. Ulja e borxhit publik në 55.8%.

Edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko vlerësoi se ekonomia ndodhet në një moment pozitiv zhvillimi.

“Punësimi dhe pagat kanë shënuar rritje të shpejtë në 6 mujorin e parë të këtij viti. Inflacioni në rënie ka qëndruar në nivelet 2%. Borxhi publik janë në rënie, duke qëndruara në nivelet më të ulëta në dekadën e fundit. Sektori bankar shfaqet i shëndetshëm.

Sejko tha se projeksionet e ekonomisë për të ardhmen mbeten pozitive.

“Rritja ekonomike do të variojë në nivelin 3,5% deri në 4% në vitin aktual. Inflacioni pritet të mbetet i ulët dhe në kontroll, duke qëndruar afër objektivit tonë prej 3%”, tha ai./Monitor

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat