Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar raportin e ODIHR për zgjedhjet parlamentare, duke theksuar se “në kushtet e partisë shtet nuk mund të ketë zgjedhje të tjera përveçse farsë”.
Në një deklaratë të fuqishme, Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe administratën për manipulim të votës dhe përdorim të burimeve shtetërore në favor të partisë në pushtet.
“Raporti fakton se në kundërshtim me parimet ndërkombëtare, Edi Rama ka shndërruar punonjësit e administratës në patronë të shqiptarëve për votën. Janë përdorur bonuse për votën, dhuratë për votën 100 euro për pensionistët, falja e gjobave 200 milionë për votë, dhënia e 138 licencave për 28 mijë hektarë tokë të mbjellë me kanabis, dhe 500 milionë euro prokurime për të blerë vota,” – tha Berisha.
Berisha shtoi se mijëra punësime të përkohshme janë përdorur për të blerë vota, dhe se ka pasur të gjitha mënyrat e mundshme për të kontrolluar vullnetin e qytetarëve, përfshirë edhe angazhimin e karteleve të drogës dhe bandave në disa qytete.
“Vetëm ky element tregon qartë që zgjedhjet ishin një farsë. Në kushtet e partisë shtet nuk mund të ketë zgjedhje të lira,” – tha ish-kryeministri.
Ai theksoi gjithashtu se raporti i ODIHR evidenton shuarjen e linjave të ndarjes mes partisë dhe shtetit, që sipas tij e kthen Shqipërinë në një diktaturë autoritare që kontrollon votën e shqiptarëve.



