back to top
10.5 C
Tirana
E hënë, 3 Shkurt, 2025
spot_img
KreuAktualitetRajoniPartitë përgatiten për zgjedhjet e ardhshme lokale/ Garë e ashpër për Qytetin...

Partitë përgatiten për zgjedhjet e ardhshme lokale/ Garë e ashpër për Qytetin e Shkupit

Zgjedhjet lokale janë nëntë muaj larg por partitë politike kanë filluar kalkulimet, i hedhin opinionit emra të mundshëm kandidatësh për të matur reagimet por edhe parashikojnë bashkëpunimet mes tyre. Zyrtarisht, asnjëra nuk ka konfirmuar emra kandidatësh të mundshëm por as nuk i kanë mohuar emrat që përfliten. Gara mes partive maqedonase do të përqendrohet te Qyteti i Shkupit. VMRO-DPMNE-ja ka dilema mes dy kandidatëve të mundshëm, ministrit të vetëqeverisjes lokale Zllatko Perinski dhe kreut të Kisella Vodës Orce Gjeorgjievski. Kryetarja Danella Arsovska, ka konfirmuar tashmë se nuk synon një mandat tjetër.
“Akoma nuk kemi sjell vendim për emrat e kandidatëve për kryetar komunash. Vazhdojnë konsultimet brendapartiake”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

LSDM-ja është në proces organizimi të brendshëm pas ndryshimit të organeve të partisë megjithatë kryetari i organizatës së qytetit të LSDM-së, Gjorgji Galetanovski nuk e përjashton mundësinë që të kandidojë për garën zgjedhore për Qytetin e Shkupit.

“Nga sot e tutje dhe në çdo cikël të ardhshëm zgjedhjesh do të marrim pjesë më të organizuar dhe do të jemi më të suksesshëm”, deklaroi Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

Gara mes partive shqiptare do të jetë më e ashpër. Me të, partitë nuk do të synojnë të fitojnë vetëm komunat por edhe të dëshmojnë në anën e cilës palë është legjitimiteti i shqiptarëve, temë që i ka përplasur që pas zgjedhjeve parlamentare të majit.
Çairi mund të jetë fushëbetejë mes kreut aktual Visar Ganiut dhe ish ministrit të Jashtëm Bujar Osmanit. Ky i fundit kohë më parë u zgjodh shef i shtabit të degës.

“Jam i bindur se ai bashkë me ekipin dhe mbështetjen e gjithë strukturës, do të arrijmë suksese të pakontestueshme dhe rezultate, që do të ngadhënjejnë për të realizuar planet dhe projektet tona për Çairin dhe banorët e Çairit!”, u shpreh Bekim Neziri, BDI.

Ganiu pritet të rikandidojë si kuadër i Lëvizjes Demokratike të Izet Mexhiti. Partitë e koalicionit VLEN do të synojnë të mbajnë komunat me të cilat tani qeverisin.

“Parimisht kemi një dakordësi që aty ku menaxhojmë me pushtetin lokal të vazhdojnë po të njëjtat subjekte politike por unë besoj se shumë shpejt do të kemi një marrëveshje të përgjithshme ku do të përcaktohet ajo se si do të shkojmë në zgjedhjet lokale”, theksoi Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes Besa, VLEN.
Kasami konfirmoi për Alsat se dëshiron edhe një mandat tjetër në Tetovë. Përball nga Fronti Evropian jozyrtarisht flitet se do të ketë deputetin aktual Ilir Demiri. Alternativa synon të marrë Dibrën dhe jozyrtarisht edhe Sarajin.

Koalicioni VLEN nuk e sheh të arsyeshme unifikimin formal para zgjedhjeve lokale. Thonë se synojnë të garojnë bashkë si koalicion kurse vetëm pas zgjedhjeve të kalojnë formalisht në një parti të vetme politike.

Por, suksesi i partive shqiptare nëpër komuna do të varet nga mbështetja që ata do të sigurojnë nga partitë maqedonase, në shumë raste nga VMRO-DPMNE-ja. ZNAM do të vendosë më tej nëse do të kandidojë e vetme ose si koalicion. E Majta ka konfirmuar se do të kandidojë e vetme.

Zgjedhjet e fundit lokale u mbajtën në tetor 2021.

Nga 80 komuna dhe Qyteti i Shkupit, VMRO-DPMNE me koalicionin fitoi 42 pozita për kryetar komune, si dhe kryeqytetin me përkrahjen që i dha Danela Arsovskës si kandidate të pavarur. LSDM, nga ana tjetër, fitoi 16 komuna, BDI-ja 11. Aleanca për Shqiptarët, Alternativa dhe Besa, të cilat tani janë pjesë e VLEN-it, fituan gjithsej katër pozita të kryetarëve të komunave. PDSH-ja, GROM-i, koalicioni i PLD-së dhe DOM-it fituan nga një komunë, ndërsa në Kumanovë dhe Debarcë, fituan Maksim Dimitrievski dhe Zoran Nogaçeski, si kandidatë të pavarur.

Sipas Kodit Zgjedhor aktual, zgjedhjet lokale mbahen çdo katër vjet në gjysmën e dytë të tetorit. Zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm do të jenë të tetat me radhë që nga pavarësia e vendit. /Alsat.mk

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat