Për herë të parë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka hapur zyrtarisht garën për pozicionin e drejtorit të Departamentit të Sigurisë Publike. Aplikimet do të qëndrojnë të hapura deri më 15 korrik 2025, dhe në këtë garë mund të marrin pjesë oficerë të gradës “Drejtues” ose “Drejtues i Parë”.
Aktualisht, këtë post e mban Rebani Jaupi, i cili ka të drejtë të rikandidojë në përputhje me kriteret e reja të përcaktuara nga ligji 82/2024 “Për Policinë e Shtetit” dhe vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 641, datë 16.10.2024.
Zgjedhjet me garë: Një nga një për çdo departament
Sipas burimeve për gazetarin Igli Çelmeta, për shkak të zbatimit të ligjit të ri, gara për drejtuesit e tjerë të departamenteve do të hapet gradualisht, për secilin veçmas, përfshirë:
Departamentin e Policisë Kriminale
Departamentin për Kufirin dhe Migracionin
Departamentin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare si dhe për postin e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Deri tani, i vetmi drejtues departamenti i përzgjedhur me garë është Thodhori Gravani, i cili pas konkurrimit u shpall fitues për pozicionin e Drejtorit të Departamentit për Shërbimet Mbështetëse.
Edhe pse ligji i ri ka hyrë në fuqi që prej 16 tetorit 2024, për 9 muaj gara për drejtuesit e tjerë ka mbetur pezull, duke shtyrë reformimin strukturor të policisë së lartë në vend.