Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, duke hapur rrugën për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vend.
Në një deklaratë për media, Osmani tha se vendimi është marrë në përputhje me detyrimet kushtetuese, pasi sipas saj përfaqësuesit politikë “vendosën ta çojnë vendin në zgjedhje”.
“Nëpërmjet këtij dekreti po kryej detyrimin kushtetues i cili është i përcaktuar qartë. Është fatkeqësi e madhe që deputetët nuk zgjodhën interesin e Kosovës”, deklaroi ajo.
Sipas presidentes, përpjekjet e dështuara të një nate më parë në Kuvend për zgjedhjen e presidentit të ri nuk ishin të rastësishme.
“Përkundrazi, shumë mirë të kalkuluara dhe ideuara, për fat të keq”, u shpreh Osmani.
Ajo theksoi se neni 86 i Kushtetutës përcakton se presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Mandati i saj përfundon më 4 prill, ndërsa sipas Osmanit, 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues që Kuvendi të zgjidhte presidentin e ri.
“Kjo do të thotë se 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues që Kuvendi të zgjidhte presidentin e ri. Ky afat ka skaduar mbrëmë në mesnatë. Nuk kemi të bëjmë me debat publik, por me një fakt të qartë kushtetues. Kushtetuta është shkruar për të garantuar funksionimin e shtetit, jo zvarritjen dhe mosfunksionimin”, tha ajo.
Procesi për zgjedhjen e presidentit të ri dështoi në Kuvend për shkak të mungesës së kuorumit. Kandidatë për këtë post ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, të dy të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Pas dështimit të seancës, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, bëri të ditur se i është drejtuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës për të kërkuar interpretim lidhur me procedurën e zgjedhjes së presidentit dhe pezullimin e përkohshëm të afateve kushtetuese deri në publikimin e një vendimi.
Për zgjedhjen e presidentit të Kosovës kërkohet mbështetja e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit në votimin fillestar.



