Pas disfatës elektorale të 11 majit, në Partinë Demokratike po qarkullojnë gjithnjë e më shumë zëra për një tronditje të fortë brenda partisë, deri në “shkundjen nga themelet”. Ish-deputeti Kreshnik Çollaku ka dalë hapur me idenë e një “Rithemelimi të Dytë” të PD-së, që sipas tij duhet të rikthejë partinë në identitetin e saj të vërtetë, ku kritika ishte oksigjeni dhe ku organizimi nuk varej nga ofiqet personale.
“Realisht nëse do kishte kuptim një Rithemelim i 2-të i PD-së, do ishte ky momenti. Duhet ta kthejmë PD-në në shinat identitare ku u krijua. Një parti ku kritika është oksigjen dhe pastaj një riformatim i plotë organizativ e strukturor të lidershipit,” – u shpreh Çollaku.
Ndërkohë që figura të tjera brenda PD-së, si Ferdinand Xhaferaj, kërkojnë largimin e Sali Berishës, Çollaku mendon se askush nuk duhet të përjashtohet nga procesi i ringritjes.
“Edhe Berisha, por edhe çdo ish-drejtues tjetër duhet të japë kontributin në një Kuvend të madh analize. Sigurisht, Berisha nuk mund të përjashtohet nga kjo analizë racionale.”
Përsa i përket “Neni Basha” që kufizon mandatin e kryetarit, ish-deputeti e sheh si një nen të shkruar “në inat” gjatë konflikteve të brendshme, që nuk duhet të shndërrohet në armë politike nga asnjë palë.
Çollaku, i cili nuk arriti të rinovojë mandatin në zgjedhjet e fundit, sugjeron edhe një formë të re proteste kundër “parlamentit monist”.
“Nuk jam për djegie mandatesh, as për bojkot. Jam për bllokim mandatesh. Deputetët të marrin mandatin dhe të paraqiten pas 6 muajsh, për të treguar se ky është Parlament monist,” – deklaroi ai.
Mesazhi i tij është i qartë: PD-së i duhet një rishpikje totale për të mbijetuar politikisht, dhe kjo nuk bëhet me lojëra karrierash, por me një analizë pa tabu, ku secili – nga themeluesit tek figurat e reja – të japë kontributin e tij.