Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr Sali Berisha në një konferencë mëe gazetarët këtë të martë, ka reaguar ashpër, duke i cilësuar si zgjedhjet më të grabitura në historinë pluraliste të Shqipërisë. Berisha akuzon qeverinë Rama dhe strukturat kriminale të lidhura me të se kanë diktuar procesin elektoral në mënyrë të organizuar dhe sistematike.
Sipas Berishës, bandat kriminale kanë qenë aktive në 10 qarqe dhe 20 bashki të vendit, ku kanë ndikuar drejtpërdrejt në zgjedhjen e 30 deputetëve të mazhorancës. Berisha solli si shembull rastin e Vorës, ku pretendon se banda e Blendi Xhabaftit ka ndikuar me dhunë rezultatin, duke i dhënë këtij të fundit një epërsi të jashtëzakonshme në krahasim me kandidatin e dytë. Lideri Opozitar u shpreh se raste të ngjashme ka pasur edhe në Durrës, Peshkopi, Elbasan, Fier dhe zona të tjera, ku skenat e dhunës, shantazhit dhe manipulimit të votës janë bërë normë.
Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi qeverinë se ka përdorur një sërë metodash për të blerë vota, përfshirë shpërndarjen e zarfeve me nga 100 euro gjatë fushatës, një amnisti fiskale prej 200 milionë eurosh për periudhën 2015–2025, si dhe licencimin e dhjetëra mijëra hektarëve me kanabis, i cili sipas tij është përdorur për të financuar blerjen e votës. Gjithashtu, Berisha tha se punësimi në administratë është përdorur në mënyrë masive si mjet për të siguruar vota.
Kryetari i PD, Sali Berisha, tha ndër të tjera se sistemi i patronazhistëve është shndërruar në një polici terrori mbi zgjedhësit dhe për më tepër, drejtues të lartë të Shërbimit Informativ Kombëtar kanë shkelur ligjin duke përfshirë rrjetin e vjetër të Sigurimit të Shtetit për interesat politike të mazhorancës. Ai theksoi se opozita po mbledh me përgjegjësi prova për krimin elektoral që ka deformuar vullnetin e qytetarëve.
Lideri demokrat, Sali Berisha thirri një protestë më 16 maj, ora 17:00, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të denoncuar manipulimin e zgjedhjeve të 11 majit, që ai i cilëson si më të rëndat në historinë e Shqipërisë. Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi se protesta e 16 majit, që përkon me samitin e BE-së në Tiranë, është një thirrje për liri dhe demokraci, në emër të një populli që i është mohuar e drejta për të votuar lirshëm.
Berisha akuzoi qeverinë për manipulim masiv të votave të diasporës, duke përmendur rastin e Beratit ku PS mori 99.6% të votave dhe rritjen e dyshimtë të zarfeve nga Greqia pas vizitës së Taulant Ballës. Berisha deklaroi se zgjedhjet janë diktuar nga bandat kriminale dhe patronazhistët, ndërsa komisionerëve të opozitës u bën thirrje të dokumentojnë çdo parregullsi. Qëllimi i protestës është sensibilizimi i opinionit publik dhe ndërkombëtar mbi atë që ai e quan “krim elektoral” i Edi Ramës, u shpreh ndër të tjera kryetari i PD, Sali Berisha.
FJALA E PLOTË
Mirëdita!
Zgjedhjet e 11 Majit u diktuan që të gjitha nga krimi.
Bandat kriminale të qeverisë ishin aktive në 10 qarqe të Shqipërisë, në 20 bashki të vendit dhe ato patronuan 30 deputetë të mazhorancës kriminale.
Skenat që ju patë në Vorë, ku banda e Xhabaftit diktoi në mënyrë të dhunshme vullnetin e qytetarëve të Vorës, në të cilat zgjedhje, kryebanditi Blendi Xhabafti, mori vota dhjetë herë më shumë se kandidati i dytë në lista.
Kuptoni vetë se si janë zhvilluar zgjedhjet.
Por, skena si Vora ishin të zakonshme në një seri qarqesh dhe bashkish të tjerë, Durrës, Peshkopi, Elbasan, Fier dhe zona të tjera.
Pra, në çdo aspekt këto ishin zgjedhjet më të grabitura, më të plaçkitura dhe më të dhunuara në tërë historinë elektorale të Shqipërisë pluraliste.
Kurrë ndonjëherë bandat nuk kanë prurë kaq shumë përfaqësues të tyre në parlamentin shqiptar sa në këtë parlament.
Nga veriu në jug, nga lindja në perëndim.
Mund t’u them ju se në rrethin e Durrësit, bandat punonin për deputetë të veçantë.
Tjetër Balla, tjetër Dyrmishi, tjetër ky, tjetër ai.
Dhe jo më pak në Elbasan kjo skemë. Po kështu në Fier, Mallakastër.
Pra, këto ishin zgjedhje që u sunduan si asnjëherë më parë nga vrasës, seria killera, trafikantë, dhunues, përdhunues.
Zgjedhjet e 11 Majit u karakterizuan nga blerja publike më masive në tërë historinë e zgjedhjeve në Shqipëri.
Zarfi me 100 euro, i dërguar në mes të fushatës elektorale dhe amnistia prej 200 milionë euro gjoba dhe kamata nga viti 2015 deri në vitin 2025, është blerja publike më e fuqishme që ka ndodhur në historinë e vendit.
Dhjetëra mijëra hektarë kanabis që u dhanë licencat për t’u mbjellë. Çdo bimë kanabis me prodhim fitimi 1 mijë euro, është përllogaritur për blerje votash në mënyrën më të pamëshirë.
Punësimi, punë për votë, u aplikua masivisht në këto zgjedhje.
Sistemi kriminal i patronazhistëve, i futur në strofulla ose rreth qendrës së votimit, ishte një polici terroriste, ndaj zgjedhësve shqiptarë.
Dy drejtuesit më të lartë të Shërbimit Informativ Kombëtar, zëvendës të drejtores, u morën javët e para me të gjithë regjistrat e rrjetit agjenturor të Sigurimit të Shtetit dhe e aktivizuan atë për karrigen e Edi Ramës duke shkelur ligj dhe çdo gjë.
Ne po evidentojmë me shumë përgjegjësi krimin elektoral.
Ky krim është po kaq monstruoz në diasporë.
Ju e morët vesh besoj, se si në kutinë e Beratit për diasporën dilte PS 99.6 përqind.
Pra, kemi të bëjmë me Korenë e Veriut.
Kjo është e vërteta.
Në qoftë se nga Greqia, ardhja me postë të zakonshme çdo ditë para se famëziu, krimineli Balla të shkonte me hordhinë e patronazhistëve në Greqi, ishte 1000-1300 zarfe, pas dërgimit të kriminel Ballës në Greqi, kanë ardhur 6 mijë zarfe, të gjitha të manipuluara.
Ju besoj se po e ndiqni numërimin e votave në diasporë se si ato janë me shenjat më të sigurta të falsitetit dhe manipulimit.
Thirrja ime është kjo për të gjithë komisionerët që po bëjnë punë me vetëmohim, të numërojnë çdo votë në dëshmi të respektit tonë të palëkundur ndaj atyre që në kushte terrori kanë votuar për opozitën.
Të regjistrojnë dhe të mbajnë shënim çdo parregullsi.
Libri i zi i këtyre zgjedhjeve shkruhet me datën 16 në ora 17:00 në Bulevardin e Parë për të sensibilizuar opinionin publik botëror mbi krimet monstruoze të përbindëshit elektoral Edi Rama, që nuk respekton asnjë rregull, asnjë ligj kombëtar dhe ndërkombëtar për zgjedhjet.
Protesta do të jetë paqësore.
Ne garantojmë se nuk do ketë probleme që të cenojnë në shkallën më të vogël sigurinë e dinjitarëve që vijnë, por duam që ata të mësojnë se kanë qenë të ftuar nga një narkodiktator që nuk njeh ligj as moral për votën dhe vullnetin e qytetarëve të tij.