back to top
27.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaPas Prokurorit të Përgjithshëm, edhe avokatët kundër Kodit Penal: Shkelje të rënda...

Pas Prokurorit të Përgjithshëm, edhe avokatët kundër Kodit Penal: Shkelje të rënda të lirive

Një ditë pas qëndrimit kritik të Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela ndaj draftit të ri të Kodit Penal, ka reaguar ashpër edhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë, duke e cilësuar nismën si një rrezik për të drejtat themelore dhe lirinë qytetare.

Në një konferencë për mediat, kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, deklaroi se Kodi i ri është përgatitur në mënyrë të njëanshme, pa konsultim me aktorët kryesorë të drejtësisë, dhe përmban dënime që ai i përshkroi si “më të rënda se në periudhën e komunizmit”.

“Drafti është inkuizitor. Europa nuk do ta pranojë kurrë këtë kod. Ka masa penale që shkelin çdo standard të shtetit të së drejtës”, u shpreh Haxhia.

Sipas tij, drafti përmban nene diskriminuese, ndëshkime disproporcionale për qytetarët dhe përbën një regres të dukshëm në raport me parimet që mbështesin një sistem drejtësie të pavarur dhe të drejtë. Ai shtoi se kodi është rishikuar plot 23 herë ndër vite, dhe nuk ka pasur asnjë nevojë reale për ta zëvendësuar tërësisht.

“Nuk është një kërkesë që vjen nga nevoja e sistemit të drejtësisë. Ky kod duket si një produkt politik e jo institucional”, theksoi ai.

Haxhia paralajmëroi se, nëse Kuvendi do të miratojë draftin në këtë formë, Dhoma e Avokatisë do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për shkelje të parimeve themelore të lirisë, barazisë para ligjit dhe të drejtës për mbrojtje.

Drafti i ri i Kodit Penal ka shkaktuar reagime të ashpra jo vetëm nga opozita politike, por tashmë edhe nga institucione të drejtësisë si Prokuroria e Përgjithshme dhe Dhoma e Avokatisë. Kritikët e konsiderojnë si një nismë represive dhe të politizuar, ndërsa qeveria ende nuk ka bërë publike arsyetimin zyrtar të reformës.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat