Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, kërkon sërish lirinë në Gjykatën e Posaçme të Apelit (GJKKO), pas vendimit të një dite më parë të Gjykatës së Lartë që rrëzoi rekursin e tij të dytë.
Seanca në Apelin e Posaçëm pritet të mbahet sot, ku Meta do të kërkojë zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të butë.
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024, së bashku me deputeten Monika Kryemadhi. Ata dyshohen se, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë shtetërorë, kanë shfrytëzuar postet publike dhe politike për përfitime personale.
Sipas dosjes së SPAK, Meta dhe Kryemadhi dyshohet se kanë favorizuar kompani private dhe janë përfshirë në veprimtari lobuese në SHBA, si dhe në transaksione të dyshimta pasurish në këmbim të shumave të mëdha parash, të cilat janë përpjekur t’i fshehin.
Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj Metës akuzat për “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”. Hetimet ndaj tij u mbyllën më 28 korrik 2025, ndërsa dosja u dërgua për gjykim në fund të muajit gusht.



