Tirana e ka tejkaluar prej kohësh kufirin e ndërtimeve shumëkatëshe, por tani tendenca e “kullave” po zhvendoset edhe drejt bregdetit. Vetëm në tre mbledhjet e fundit, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) ka miratuar një sërë projektesh për ndërtesa që variojnë nga 20 deri në 67 kate, duke shënuar një tjetër valë ndërtimesh gjigante në vend.
Në Tiranë, kompleksi më i madh pritet të ngrihet në zonën e Bulevardit të Ri, ku planifikohen gjashtë kulla nga 33 deri në 67 kate. Dy projekte të tjera shumëkatëshe janë miratuar edhe në zonën e “Ali Demit”, me ndërtesa mbi 30 kate.
Ndërkohë, Vlora po kthehet në qytetin e dytë me bum ndërtimesh vertikale — shumë prej tyre mbajnë emrin “Tower”, simbol i qartë i një trendi të ri urban.
Në Qerret, ku më parë dominonin komplekset e ulëta turistike, pritet ndërtimi i hoteleve shumëkatëshe, ndërsa Shkodra dhe Lezha po ndjekin të njëjtin drejtim, me projekte të reja që përfshijnë ndërtime të larta përgjatë bregdetit verior.
Ekspertët e urbanistikës paralajmërojnë se ky zhvillim mund të ndryshojë përgjithmonë fytyrën e vijës bregdetare shqiptare, e cila deri tani ka qenë e dominuar nga ndërtimet e ulëta dhe resortet e përhapura.



