Këshilli i Lartë i Prokurorisë, me kërkesë të ILD-së, ka marrë vendimin për të larguar nga detyra e drejtuesit të prokurorisë së Sarandës, Kledian Llahon, për të cilin me urdhër të SPAK ai i pezullua nga detyra për korrupsion.
KLP ka vendosur pranimin pjesërisht të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor ndaj Llahos., duke caktuar masën “Ulje page në masën 20% për 3 muaj”, përkundër propozimit të ILD për “Ulje page në masën 40% për 1 vit”, ndërsa ka pranuar plotësisht propozimin e ILD për masën “Largimi nga detyra e kryetarit”.
Pas këtij vendimi, ka reaguar ashpër kryeprokurori i Sarandës. Kledian Llaho hedh akuza të rënda në adresë të kreut të ILD-së, Artur Metani, të cilin e akuzon edhe për pazare.
Reagimi i Kledian Llahos
Me vendimin e sotëm duke caktuar masë displinore ndaj Drejtuesit të Prokurorisë Sarandë, KLP konfirmoi fatkeqësisht anarkinë sociale, anarkinë morale dhe anarkinë ligjore që mbizotëron sot në këtë vënd të mjerë. Për ILD dhe KLP nuk kanë asnjë relevancë sukseset e Prokurorit Kledian Llaho, nga hetimet e të cilit janë sekuestruar në qytetin e Sarandës mbi 40 milionë euro pasuri në favor të shtetit. Për ILD dhe KLP janë gjetur shkelje veprimet e drejtuesit të Prokurorisë vetëm pse ka marrë përsipër hetimin e dy çështjeve penale, të cilat ai i dërgoi në gjyq, por që sipas ILD duhet të trajtoheshin nga ankuesja.
Gjithashtu sipas ILD dhe KLP drejtuesi i Prokurorisë nuk e ka dëgjuar, nuk e ka këshilluar dhe nuk e ka “trajtuar” siç duhet prokuroren ankuese B.S.
Vendimi i sotshëm është përvec se i pabazuar ligjerisht por edhe i diktuar nga dëshira e Inspektorit Metani për të performuar në statistika e aspak përmbajtje. Jam proceduar për inate personale dy herë brenda 6 muajve si asnjë magjistrat tjeter, thua se unë paskam qenë e keqja e sistemit.
Mirëpo është fakt që Inspektori, ka qenë pjesë e një delegacioni me mua në SHBA në nëntor 2023 dhe për shkak të qënies time pjesë e atij delegacioni, inspektori nuk mundi ta përtypte dot.
Vetëm pas disa muajve shfrytëzoi ankesat pa asnjë rëndësi dhe nisi procedim disiplinor ndaj meje për vonesë në një cështje pa asnjē interes, ndërkohë që sistemi lëngon prej ngarkesës ekstreme.
Inspektori pas dy muajve nga nisja e procedimit të parë nisi një tjetër procedim mbi ankimin e një prokuroreje me të cilën kanë punuar ndihmës inspektorja e çështjes ndaj meje por edhe ai vetë në Avokaturën e shtetit. ( konflikt i pastër interesi).
Unë do e ankimoj këtë proces dhe ankimimet nuk do të bëhen në ambientet e 15 kateshit (inspektori e di vet pse jo atje) por zyrtarisht me poste!
Shumica ka frikë prej të aftëve sepse nuk dëshiron rodhe nëpër këmbë.
Dhe po e mbyll me fjalet e Driteroit të madh;
Botë e mallkuar, plot me rezilë,
I miri shpon shpon duart
I ligu fiton trendfilë.