Kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë lëvizje të forta në drejtimin lokal të Partisë Socialiste në Vlorë, duke reflektuar pakënaqësitë e tij për performancën e dobët të strukturave vendore, sidomos në menaxhimin e sezonit turistik.
Admir Malaj dhe Vilma Bello nuk do të jenë më bashkëkryetarë të degës së PS-së në Vlorë. Në vend të tyre, është komanduar Klevis Kaso si kryetar i degës, ndërsa Erjona Ismaili është emëruar bashkëkryetare.
Vendimi erdhi pas një mbledhjeje të zhvilluar këtë të enjte në qytetin e Vlorës, ku Kryeministri Rama zhvilloi një takim me drejtuesit lokalë dhe deputetët e qarkut. Burime nga mbledhja bëjnë me dije se Rama ka shfaqur hapur pakënaqësi për mënyrën si po menaxhohet sezoni turistik, mungesën e ujit të pijshëm dhe rritjen e ankesave nga qytetarët për cilësinë e shërbimeve publike.
Gjatë diskutimeve, kreu i qeverisë ka kërkuar përgjegjësi të drejtpërdrejtë nga administrata vendore dhe ka kërkuar dorëheqjen e disa drejtuesve të institucioneve, përfshirë edhe strukturat e PS-së në nivel lokal, të cilat sipas tij nuk kanë treguar efikasitet në përmbushjen e detyrave funksionale.
Ndryshimet në drejtimin e Partisë Socialiste në Vlorë vijnë në një moment kritik për qeverinë, përballë sfidave të sezonit turistik dhe rritjes së pakënaqësisë publike për shërbimet bazë në qytetet bregdetare.