Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar sërish qeverinë se po zbaton një “amnisti fiskale të maskuar”, të cilën e cilëson si rrezik serioz për ekonominë shqiptare dhe për procesin e integrimit europian. Në një video-mesazh të shpërndarë në rrjetet sociale, ajo bëri të ditur se ka informuar zyrtarisht Komisionin Europian dhe Parlamentin Europian lidhur me pasojat e këtij procesi.
Sipas Tabakut, amnistia shkel parimet kushtetuese dhe cenon barazinë para ligjit duke favorizuar subjekte të paidentifikuara, ndërsa penalizon sipërmarrjet që operojnë ndershmërisht. Ajo paralajmëron se kjo skemë hap rrugë të reja për pastrimin e parave, sidomos përmes sektorit të ndërtimit, të cilin e cilëson si “gangrenë të ekonomisë shqiptare”.
Deputetja demokrate deklaroi se prej javësh i ka kërkuar Ministrisë së Financave transparencë të plotë për procesin e quajtur “paqe fiskale”, duke insistuar për publikimin e listës së përfituesve. Ajo kërkon që qytetarët të dinë nëse mes tyre ka kompani me borxhe fiskale, apo subjekte të përfshira në tendera, koncesione dhe PPP.
“Transparenca është çelësi. Nëse qeveria këmbëngul të ecë me këtë projekt, duhet të garantojë kontroll dhe llogaridhënie”, theksoi Tabaku.
Ajo rikujtoi detyrimet e Shqipërisë sipas Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe përgjegjësitë për parandalimin e pastrimit të parave, ndërsa paralajmëroi se amnistia krijon pasiguri për klimën e investimeve dhe vendos në dyshim seriozitetin e shtetit në mbrojtjen e tregut të ndershëm.
Në përfundim, Tabaku u shpreh se shqetësimet janë përcjellë zyrtarisht edhe në Parlamentin Europian dhe Komitetin e Stabilizim-Asociimit, ndërsa opozita do të vazhdojë sipas saj të kundërshtojë çdo projekt që cenon stabilitetin ekonomik dhe perspektivën europiane të vendit.



