Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) zhvilloi të mërkurën seancën përmbyllëse në shqyrtimin e ankimit të Komisionerit Publik ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), i cili konfirmoi në detyrë prokuroren Eranda Laze më 8 nëntor 2023.
Gjatë seancës, përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme, Adnan Xholi, i autorizuar nga kreu i SPAK, iu përgjigj fillimisht pyetjeve të relatorit të çështjes, përpara se të paraqiste konkluzionet përfundimtare. Në qëndrimin e tij, Xholi kërkoi shkarkimin e Lazes, duke argumentuar se ajo nuk kishte arritur të justifikonte burimin e ligjshëm të pasurisë së saj dhe të bashkëshortit, konkretisht për blerjen e një apartamenti.
Sipas Xholit, janë konstatuar deklarime të pasakta dhe mangësi në shpjegime që janë dhënë vetëm pas evidentimit të problematikave gjatë procesit të rivlerësimit. Ai përmendi gjithashtu paqartësi në disa vite fiskale dhe vuri në dyshim aftësinë kursimore të bashkëshortit.
Nga ana tjetër, prokurorja Laze e kundërshtoi kërkesën për shkarkim, duke argumentuar se konkluzionet e Komisionerit Publik nuk janë të mbështetura në prova. Ajo theksoi se një pjesë e pasurisë i përket periudhës para martesës dhe se burimi i të ardhurave të familjes së bashkëshortit justifikon investimet. Laze pretendoi se një sërë transfertash bankare të konsideruara problematike nuk janë kryer prej tyre dhe se në ato periudha ata ndodheshin jashtë vendit.
Ajo nënvizoi se pasuria është e ligjshme dhe e deklaruar, duke shtuar se ndaj saj nuk ekzistojnë probleme etike apo të figurës. Në fund, kërkoi lënien në fuqi të vendimit të KPK-së.
Gjatë procesit të rivlerësimit në KPK, Laze kundërshtoi një bilanc negativ prej 10 milionë lekësh, duke dorëzuar dokumentacion dhe sqarime që u konsideruan të besueshme nga shumica e trupës gjykuese, e cila e reduktoi diferencën financiare në rreth 1.5 milionë lekë – shifër që u cilësua jo penalizuese. Megjithatë, një anëtar i trupës gjykuese mbeti në pakicë, duke vlerësuar se Laze nuk arriti të provojë ligjshmërinë e burimeve për dy apartamente në Tiranë dhe një automjet.
Vendimi i shumicës së KPK-së u kontestua gjithashtu nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), i cili, pas evidentimit të problematikave në pasuri dhe etikë, rekomandoi Komisionerit Publik të ankimonte vendimin në KPA.
Pas dëgjimit të palëve, Kolegji i Posaçëm i Apelimit shpalli mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe njoftoi se vendimi përfundimtar do të shpallet më 29 korrik 2025.



