back to top
2.5 C
Tirana
E hënë, 22 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetPacientët pa analiza/ PD denoncon menaxhimin e QSUT

Pacientët pa analiza/ PD denoncon menaxhimin e QSUT

Partia Demokratike ka denoncuar një situatë alarmante në sistemin shëndetësor publik shqiptar. Sipas zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ (QSUT) ka ndaluar kryerjen e analizave laboratorike për pacientët, duke i lënë ata pa shërbime thelbësore. Ky veprim është pasojë e një kontrate koncesioni me një kompani private, e cila ka marrë përsipër shërbimin e analizave laboratorike në QSUT.

Vangjeli theksoi se ky koncesion ka sjellë një situatë ku pacientët janë bërë peng i interesave private, duke u privuar nga shërbimet shëndetësore të nevojshme. Ajo e cilësoi këtë si një skandal të radhës në sistemin shëndetësor shqiptar, ku qytetarët po vuajnë pasojat e politikave të dështuara dhe të dëmshme.

Nga ana tjetër, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë kanë deklaruar se janë duke punuar për zgjidhjen e këtij problemi dhe për garantimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët. Ata kanë siguruar se do të rishikojnë kontratat e koncesioneve dhe do të ndërmarrin masa për të parandaluar abuzimet dhe për të siguruar cilësinë e shërbimeve shëndetësore.

Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:

Sistemi shëndetësor publik ndodhen prej kohësh në një situatë alarmante.

Skandali më i fundit publikuar nga gazetari Osman Stafa vjen pikërisht nga Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ (QSUNT), ku një urdhër zyrtar konfirmon ndalimin e analizave laboratorike për pacientët, për shkak të tejkalimit të buxhetit mujor të koncesionarit privat që menaxhon këtë shërbim.

Dokumenti zyrtar, dëshmon qartë se pacientët nuk mund të marrin analiza bazike shëndetësore nëse është arritur ‘tavani financiar’ i përcaktuar në kontratën koncesionare.

Sipas emailit të brendshëm të QSUNT-së:

‘Tarifat e shërbimeve të pagueshme të koncesionarit kanë arritur 100% të tavanit buxhetor mujor. […]

Prandaj që prej datës 25 Gusht deri 1 Shtator do të ofrohet shërbim laboratorik vetëm për rastet urgjente dhe shumë të rënda.’

Ky precedent i rrezikshëm tregon qartë se në sistemin aktual shëndetësor shqiptar, jeta e pacientëve është kushtëzuar nga kufizime financiare, të imponuara nga kontrata të dyshimta publike-private.

Dhe ky nuk është rast i izoluar, por një shembull i qartë i degradimit të sistemit shëndetësor në vend.

Prej kohësh janë raportuar mungesa të theksuara në barna, pajisje, dhe shërbime bazike, ndërkohë që fondet publike vazhdojnë të shpërdorohen në projekte luksoze dhe tendera të dyshimtë.

PD kërkon me urgjencë:

Të ndërpriten menjëherë praktikat që kufizojnë aksesin e qytetarëve në shërbime shëndetësore për arsye financiare.

Të mbahet përgjegjësi institucionale dhe ligjore për këtë skandal dhe pasojat që mund të ketë për shëndetin e pacientëve.

Të ri-orientohet buxheti publik drejt shëndetësisë dhe mbrojtjes së jetës së qytetarëve, jo drejt projekteve të panevojshme apo klienteliste.

Në një shtet normal, shëndetësia është prioritet.

Ndërsa në Shqipëri, jeta e qytetarëve po vendoset në rrezik nga një sistem i paaftë, i korruptuar dhe i kapur nga interesat private.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat