Partia Demokratike ka bërë publik një tjetër denoncim nga qytetarët për ndërtim pa leje në kryeqytet, konkretisht në rrugën ‘Dervish Luzha’, pranë mbikalimit që të nxjerr në rrugën ‘5 Maji’.
Sipas zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, pamjet e siguruara nga banorët tregojnë qartë ndërtimin e paligjshëm. Ata kanë informuar disa herë Policinë e Shtetit, por deri tani nuk ka pasur asnjë reagim.
Po ashtu, sipas qytetarëve, strukturat kryesore inspektuese në nivel kombëtar nuk kanë ndërhyrë për të evidentuar dhe prishur ndërtime pa leje, pavarësisht njoftimeve të përsëritura. Denoncuesit shprehen se zyrtarë të shtetit marrin pagesa të përsëritura nga pronarët e biznesit që operon në këtë objekt, duke injoruar shkeljen e ligjit.
Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë dhe të gjitha organeve ligjzbatuese që të verifikojnë situatën dhe të veprojnë menjëherë, për të ndaluar abuzimet dhe për të siguruar që ligji të zbatohet njësoj për të gjithë, pa mbrojtje për shkelësit.














