Në legjislaturat e fundit kemi parë që opozita krijon disa grupe parlamentare. I njëjti skenar pritet të përsëritet edhe në Kuvendin e ri të dalë nga zgjedhjet e 11 majit 2025.
Nga lista e 50 deputetëvetë dalë nga koalicioni i PD-ASHM , pritet të formohen 3 grupe parlamentare :
Grupi kryesor i Partisë Demokratike.
Një grup me 3 deputetë demokratë dhe 4 nga Partia Liberal-Demokratike (PL).
Një grup tjetër që do të përfshihen në deputetë të PD-së dhe deputetëve nga partitë e vogla që janë në listën e demokratëve në zgjedhjet e 11 majit.
Por, ku është dobia e kaq shume grupeve opozitare, kur nga ana tjetër PS në 3 legjislatura rresht të gjithë deputetët që nxjerr në zgjedhje i mban brenda një grupi parlamentar?
Së pari janë benefitet financiare, ku përfshihet një shtesë në pagën e atyre deputetëve që do të jenë kryetar grupi, shoqëruar kjo edhe me stafet përkatëse që rregullorja e Kuvendit para shikon se do duhet të ketë një grup parlamentar.
Por efekti kryesor i kësaj taktike politike në Parlament ka të bëj me përfaqësimin në Komisionet kuvendore, dhe më së shumti në kohën që opozita merr në seancat plenare, apo në mundësitë për të kërkuar diskutime dhe interpelanca me ministrat e kabinetit.
Pjesëmarrja në delegacionet jashtë vendit ku merr pjesë Kuvendi i Shqipërisë, mund të përfshihet gjithashtu në listën e përfitimeve që sjellin grupet parlamentare të shtuara në radhët e opozitës.