Ish kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Ibsen Elezi thotë se ish kryeministri Sali Berisha ishte i detyruar të paraqitej në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), pasi nëse nuk do të zbatonte masën e sigurisë, do të kishte pasoja.
Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Elezi u shpreh se Berisha kërkon mosbindje civile, por vetë bindet.
Megjithëse organizimi nisi prej të shtunës, vetëm një grusht militantësh dolën para SPAK për Berishën. Elezi shprehet se PD e ka humbur rrugën e saj, ndërsa shton se pjesa më e madhe e demokratëve janë pasivë.
“Në momentin që ti bindesh, nuk mund t’i kërkosh të tjerët të binden. Unë besoj se kjo është edhe luftë nervash. Në momentin e parë të mosbindjes së zotit Berishës, institucioni i akuzës do të tregonte forcën.
SPAK është institucion i ri i drejtësisë që duhet të vepronte. Zoti Berisha do i nënshtrohej këtij autoriteti. Edhe në aspektin teknik, është humbje. 74 përqind besojnë se SPAK ka rezultate. Të dalësh të mohosh punën e këtyre institucioneve, është idiotësi.
Partia Demokratike është subjekt i madh, nuk është si partitë e reja. Është kështjellë e ndërtuar, jo nga zoti Berisha, por nga njerëzit. Berisha, betejën për demokraci, këto vitet e fundit, nuk e ka fituar, por e ka shkatërruar fare. Nuk ka fare entuziazëm.
Figurat nuk ngjallin më optimizëm, pjesa më e madhe e demokratëve janë kthyer pasivë. Nëse Berisha mbledh 300 vetë, nuk është meritë e madhe. Zhbërja e forcës politike është mëse e qartë”, theksoi ai.



