Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë të ditur se forca që ai drejton do t’u paraqesë aleatëve opozitarë kandidaturën e aktorit të njohur Florjan Binaj për zgjedhjet e pjesshme lokale në Tiranë.
Në një deklaratë për mediat, Berisha theksoi se Partia Demokratike ka marrë një numër të madh kandidaturash nga personalitete të ndryshme, si nga radhët e partisë, ashtu edhe nga shoqëria civile dhe diaspora, por grupi i mandatuar ka sugjeruar emrin e Binajt si kandidaturë të përbashkët.
“Jam sot këtu për të informuar qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë se, midis kandidaturave shumë të mira që kanë ardhur nga drejtues të PD-së, personalitete të pavarura nga fusha të ndryshme dhe nga diaspora, PD duke falënderuar secilin për gatishmërinë e tij, informon se grupi i mandatuar nga PD do u paraqesë aleatëve tanë mendimin dhe sugjerimin që të mbështesim së bashku artistin e mirënjohur, personalitetin e shquar të artit dhe luftëtarin e paepur të kauzave qytetare, zotin Florjan Binaj,” u shpreh Berisha.
Një figurë publike në garën politike
Florjan Binaj, i njohur për karrierën e tij artistike dhe angazhimin në kauza qytetare, është parë prej kohësh si një zë kritik ndaj qeverisë. Sipas Berishës, ai përfaqëson një profil të ri, të aftë për të komunikuar me qytetarët dhe për të mishëruar aspiratat e opozitës për ndryshim.
Berisha e cilësoi kandidaturën e tij si një hap për të bashkuar opozitën dhe për të ofruar një alternativë të fortë përballë mazhorancës në kryeqytet.