Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se tre përfaqësues të PD-së janë ngarkuar të negociojnë me partitë opozitare për zgjedhjen e kandidatit të Tiranës. Sipas tij, Flamur Noka, Belind Këlliçi dhe Ilir Alimehmeti do të jenë të përfshirë në këto bisedime, duke përfaqësuar interesat e PD-së dhe të koalicionit opozitar.
“Unë kam ngarkuar një grup prej tre personash që do të negociojnë me partitë e tjera për emrat. Do të jenë Flamur Noka, Belind Këlliçi dhe Ilir Alimehmeti,” tha Berisha, duke theksuar se nuk është momenti për të shpallur një emër të preferuar.
Ai sqaroi se procesi është ende në zhvillim dhe kandidatët duhet të bien dakord me partitë opozitare, brenda dhe jashtë koalicionit: “Ata takohen për kandidatët me partitë. Pasi të bjerë dakord, pastaj vjen radha e kandidatëve. Puna është në vazhdim.”
Berisha theksoi gjithashtu se ai nuk do të prononcohet për asnjë kandidat të veçantë për momentin, duke e konsideruar procesin si një vendimmarrje kolektive të opozitës.