Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar këtë të mërkurë atë që e quajti platformë ose paketë për ndalimin e largimit të shqiptarëve nga vendi. Sipas tij, iniciativa synon të ofrojë mbështetje financiare për familjet dhe fëmijët, duke përfshirë pagesa të menjëhershme dhe bonuse mujore.
Berisha shpjegoi se, sipas paketës së propozuar, çdo fëmijë do të marrë një trajtim financiar të përllogaritur për vitin, duke filluar nga 1 mijë euro për fëmijën e parë, 2 mijë euro për të dytin, 3 mijë euro për të tretin, dhe deri në 5 mijë euro për fëmijët e katërt dhe më shumë. Ai shtoi se këto masa janë parashikuar për 30 mijë lindje në vit, që do të kërkojnë një buxhet total prej 60 milionë euro.
Përveç pagesave njëherëshe, Berisha njoftoi se fëmijët do të përfitojnë edhe bonuse mujore: 50 euro për çdo fëmijë nga lindja deri në 6 vjeç, dhe 60 euro nga mosha 6 deri 18 vjeç. Për fëmijët e tretë ose më shumë, shteti do të mbulojë gjithashtu rimbursimin e ilaçeve deri në 120 euro në vit, duke përfshirë rreth 8 mijë fëmijë në vit, me një kosto totale prej 1 milion euro.
Berisha theksoi se të gjitha shumat paguhen nga shteti, duke u përqendruar në mbështetjen e të paktën 15 mijë fëmijëve çdo vit, dhe synon të japë një përgjigje ndaj katastrofës demografike që po ndodh në vend.
“Ne mendojmë se duhet të fillohet këtë vit me buxhetin për fëmijët që lindin dhe për fëmijët në zhvillim. Kjo është mënyra për të ndaluar largimin e shqiptarëve dhe për të mbështetur familjet në mënyrë reale,” u shpreh Berisha.




