back to top
14.5 C
Tirana
E shtunë, 18 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetPD: Sekretari i Bashkisë Cërrik ka përfituar tendera nga Bashkia

PD: Sekretari i Bashkisë Cërrik ka përfituar tendera nga Bashkia

Partia Demokratike ka reaguar sot përmes zëdhënëses së Antikorrupsionit, Genta Vangjeli, duke ngritur akuza për përfitime të fondeve publike në Bashkinë Cërrik, në periudhën kur ajo drejtohej nga Andis Salla.

Në një deklaratë për mediat, Vangjeli iu referua një takimi të organizuar disa ditë më parë nga Partia Socialiste në kinemanë e Cërrikut, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 9 nëntorit, ku sipas mediave, Ministri Salla kishte deklaruar se “Florenc Doka është njeriu i duhur për Cërrikun”.

“Por përtej fjalëve dhe promovimeve politike, është e rëndësishme që qytetarët e Cërrikut të njihen me faktet konkrete,” – tha Vangjeli.

Sipas saj, kompania ‘Melius’ sh.p.k, në pronësi të Florenc Dokës  i cili njëkohësisht mbante edhe detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë Cërrik ka përfituar fonde publike nga vetë bashkia për blerje pajisjesh, orendish, organizim eventesh sociale dhe shërbime të tjera. Kompania është regjistruar në vitin 2022 dhe, sipas të dhënave të publikuara në spending data, është kontraktuar në disa raste nga bashkia.

Gjithashtu, PD publikoi të dhëna që, në dhjetor 2023, Bashkia Cërrik ka shpallur fituese kompaninë në pronësi të Dokës në një procedurë ankandi për dhënien në përdorim të fondit pyjor “Mollas”, ngastra 52b, me një sipërfaqe prej 5 hektarësh dhe vlerë kontrate vetëm 600 euro në vit.

“Pas gjithë këtij ‘suksesi’ në Bashkinë e Cërrikut, e drejtuar nga Andis Salla, mbetet për t’u parë nëse Doka do të promovohet më tej, ndoshta një ditë edhe si ministër nga Edi Rama,” – deklaroi zëdhënësja e PD-së.

Në përfundim të deklaratës, Vangjeli u bëri thirrje qytetarëve të Cërrikut që të reflektojnë për përfaqësuesit e tyre politikë, duke theksuar se “koha për përgjigje është më 9 nëntor”.

Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, as Bashkia Cërrik, as Ministri Andis Salla dhe as Florenc Doka nuk kanë dhënë një reagim publik mbi akuzat e ngritura nga Partia Demokratike.

Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:

Në takimin e organizuar disa ditë më parë nga Partia Socialiste në kinemanë e Cërrikut, në kuadër të strategjisë së fushatës drejt zgjedhjeve të 9 Nëntorit, sipas mediave Ministri Andis Salla deklaroi:

‘Florenc Doka është njeriu i duhur për Cërrikun! Ai  njeh çdo sfidë të qytetit dhe çdo problem të banorëve. Me Florencin, Cërriku do të ecë përpara me projekte reale dhe zhvillim të qëndrueshëm.’

Por përtej fjalëve dhe promovimeve politike, është e rëndësishme që qytetarët e Cërrikut të njihen me faktet konkrete.

Pas marrjes së detyrës së Kryetarit të Bashkisë nga Andis Salla, kompania familjare në pronësi të z. Doka, i cili mbante njëkohësisht dhe detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj bashkie, ka përfituar fonde publike nga Bashkia Cërrik.

Konkretisht, kompania ‘Melius’ shpk, e regjistruar në vitin 2022, sipas spending data, është kontraktuar nga Bashkia Cërrik për blerje pajisjesh dhe orendish, organizim eventesh sociale, si dhe për shërbime dhe mallra të tjera.

Gjithashtu, në dhjetor 2023, Bashkia Cërrik publikoi njoftimin për fituesin e procedurës së ankandit për Loti 2 – Dhënien në përdorim të fondit pyjor ‘Mollas’, ngastra 52b, me sipërfaqe 5.0 ha.

Fitues i kësaj procedure u shpall kompania në pronësi të Florenc Doka, për një vlerë kontrate prej vetëm 600 euro në vit.

Pas gjithë këtij ‘suksesi’ në Bashkinë e Cërrikut, e drejtuar nga Andis Salla, mbetet për t’u parë nëse Doka do të promovohet më tej, ndoshta një ditë edhe si ministër nga Edi Rama.

Ky është, në thelb, vizioni i shpallur për zhvillimin e Bashkisë Cërrik sipas Partisë Socialiste: përfitime private në emër të zhvillimit publik.

Por qytetarët e Cërrikut duhet të pyesin veten:

A janë të gatshëm të përfaqësohen nga një person i cili ka përfituar fonde publike për biznesin e tij privat, apo po përdor asete publike për qëllime biznesi me fuqinë e postit që mban,  dhe jo vetëm që nuk është ndëshkuar, por po promovohet si ‘njeriu i duhur’ për të drejtuar qytetin?

Koha për përgjigje është më 9 Nëntor.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat