Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke folur për gazetarët pas mbledhjes së grupit parlamentar, ka deklaruar se grupi parlamentar i PD-së do të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për të rikthyer funksionimin normal të Kuvendit të Shqipërisë, në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Parlamentit. Në një prononcim për mediat, Berisha u shpreh se parlamenti aktual është kthyer në një ‘instrument opresiv ndaj opozitës dhe qytetarëve’, ndërsa theksoi se demokratët nuk do të zgjedhin bojkotin si mjet politik, por do të përdorin ‘të gjitha format e domosdoshme’ për të garantuar një parlament funksional.
Në të njëjtën kohë, kryedemokrati Sali Berisha njoftoi për ngritjen e një ‘platforme proteste’ përpara Kryeministrisë, me kërkesën për largimin e Edi Ramës dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke paralajmëruar edhe një protestë kombëtare në vijim. I pyetur për hetimet e SPAK në lidhje me ngjarjet e 21 janarit, ai deklaroi se nuk ka marrë asnjë fletëthirrje dhe se ka qenë gjithmonë për hetim të plotë e të pavarur të asaj ngjarjeje.
Sa i përket zgjedhjeve të fundit vendore, Berisha i cilësoi ato si ‘farsë elektorale’, duke akuzuar qeverinë se ka shndërruar Shqipërinë në një ‘autokraci elektorale’ dhe ‘narkoshtet’, ku -sipas tij -të gjitha institucionet janë të infiltruar nga interesa të paligjshme.
PRONONCIMI I PLOTE:
Grupi parlamentar i PD do të bëjë të gjitha përpjekjet që i takojnë, për ti rikthyer parlamentin qytetarëve shqiptarë, për të kthyer parlamentin e Shqipërisë, në parlament që funksionon mbi bazën e Kushtetutës dhe Rregullores së parlamentit.
Pyetje: Si do e bëni këtë?
Sali Berisha: Të gjitha format e domosdoshme për rikthimin e parlamentit, funksionimin e tij mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve të vetë parlamentit.
Pyetje: Bojkoti ishte vetëm për sot, do ketë deputetë nesër në komisione.
Sali Berisha: Ndonjë surprizë. Ju shkoni nesër në komisione dhe shifni. Edhe pasnesër.
Pyetje: A pati vendim, do shkoni apo jo në Komisione?
Sali Berisha: Vendimi është i prerë, do të bëhet çdo përpjekjet e domosdoshme për rikthimin e parlamentit dhe funksionimin e tij, mbi baza të Kushtetutës dhe ligjeve.
Pra, nëse sot për sot, parlamenti funksionon i tëri jashtë përcaktimeve të Kushtetutës dhe rregullores së parlamentit;
Sot për sot, parlamenti është një instrument opresiv ndaj opozitës;
Sot për sot parlamenti është një instrument opresiv ndaj qytetarëve shqiptarë, nuk shpreh më, nuk merret me të drejtat e qytetarëve shqiptarë, me interesat e tyre, dhe siç keni parë ju, pas 10 seancash është bllokuar debati në 9 seanca dhe është lejuar në vetëm në 1 seancë.
Ndërkohë deputetët tanë kanë qenë në çdo mbledhje të Komisioneve parlamentare. Kanë shqyrtuar ligje dhe vendime me seriozitetin më të madh.
Pyetje: Si do të arrini këtë, cili është plani juaj?
Sali Berisha: Absolutisht do të përdorim të gjitha mjetet, gjersa parlamenti të funksionojë.
Pyetje: A i keni përdorur dhe më parë këto mjete?
Sali Berisha: Edhe po edhe jo…
Pyetje: Nesër do shkojnë deputetët në Komisionet parlamentare.
Sali Berisha: Bojkoti nuk është opsion. Ne e kemi të ndaluar bojkotin.
Pyetje: Përsa i takon protestës keni vendosur një datë? Do të jeni të enjten në platformën tuaj para kryeministrisë?
Sali Berisha: Platforma para kryeministrisë ka dy qëllime.
Së pari kërkesën ultimative për largimin e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut.
Ka njerëz që mendojnë se duhet bërë tek Ministria e Energjitikës. Është ajo ndërtesë që ka dhe kryeministrin dhe zv/kryeministrin. Në ndërtesën e kryeministrisë ka një sektor, një zyrë, por jo vetëm zyrë se ajo ka dhe staf aty që është e instaluar.
Pra ne vendosim aty platformën për të kërkuar largimin e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, dyshes më famëzezë në korrupsion në historinë e Shqipërisë.
Pyetje: Platforma do të vendoset dhe nuk do të hiqet, apo do të jetë në ditë të caktuara?
Sali Berisha: Platforma do të jetë ditë të caktuara, më së shumti ditë të e enjtja, por pas mbledhjes u la që ta përcaktojë një grup i caktuar.
Pyetje: Një datë për protestën?
Sali Berisha: Absolutisht do të shkohet drejt protestës kombëtare, por para së gjithash do të vendosen këto masa dhe pastaj do të kalohen drejt protestës kombëtare.
Pyetje: Ka një fletë thirrje për ju nga SPAK për ju, për tu paraqitur të premten për 21 janarin. Do të shkoni?
Sali Berisha: Personalisht nuk kam marrë asnjë fletë thirrje, për faktin e thjeshtë se Alfred Greca, para se të ma dërgojë mua, ua çon gazetarëve.
Unë nuk kam asnjë problem …
Pyetje: Do të shkoni …
Sali Berisha: Unë jam njeriu që kam kërkuar më shumë se kushdo tjetër hetimin e atyre ngjarjeve tragjike. Kam kërkuar prokuror ndërkombëtar për hetimin e tyre.
Nga viti 2013 e gjer sot, që prokurorinë e ka në dorë Edi Rama, është vetëm ai që ka penguar hetimi. Ai dhe vetëm ai.
Sali Berisha ka kërkuar prokuror ndërkombëtar, ka kërkuar hetim. Ka fatmirësisht, deklaratat e qeverisë së SHBA-së, ku z. Steinberg që ishte asistent i sekretarit të shtetit dhe Thomas Countryman që kërkuan hetimin nga polici tek organizatori.
Organizator janë me dokumente se kush është.
Pra unë shkoj dhe e kam thënë, në çdo thirrje, se kjo është normale. Por jam thellësisht i hetuar, që të hetohet e plotë kjo ngjarje.
Pyetje: Sa i takon zgjedhjeve të djeshme, a është një humbje e PD-së dhe e kandidatëve të pavarur.
Sali Berisha: Njëherë ti falënderoj përzemërsisht për guxim që treguan dhe konstatuan që Shqipëria ka vetëm farsë elektorale. Tani edhe botërisht po fillon të njihet, një autokraci elektorale, apo diktatura autoritare.
Kështu që ata bënë të pamundurën, ata qytetarë intelektualë, të profesioneve të ndryshme, biznesmenë të pavarur, por konstatuan se këtu nuk ka zgjedhje, por ka farsë.
Pyetje: Si i cilësoni këto zgjedhje farsë, ku nga të dhënat zyrtare të KQZ-së votuan 20% të qytetarëve, 80% nuk dolën fare të votonin? Mos ndoshta qytetarët nuk dolën duke refuzuar PS-në dhe ju refuzojnë dhe ju, pra opozitën?
Sali Berisha: Pikërisht farsë, kjo tregon farsën dhe qytetarët e kuptuan.
Ne nuk ishim, ne bëmë thirrje për të mbështetur të pavarurit.
Pyetje: A i bojkotuat këto zgjedhje?
Sali Berisha: Jo nuk i bojkotuam, po të ishte bojkot themi i bojkotuam, ju smë keni dëgjuar njëherë të bëjë thirrje qytetarëve të votoni apo jo. Ne mbështetëm dhe u regjistruam për shkak të këtyre, sepse nuk përfitonin komisionerët.
Ishin disa veprime të studiuara mirë që treguan se, kjo qeveri zgjedhje nuk bën. Se qytetarët e kanë kuptuar dhe nuk mund të dalin në zgjedhje.
Pyetje: Mund të quhet një manovër për të shmangur përgjegjësinë e humbjes?
Sali Berisha: Jo absolutisht, por farsa është farsë.
Farsa duhet luftuar, në farsë nuk ka zgjedhje. Çfarë u kërkoj unë ju? Unë ju kërkoj ju të studioni kategoritë; çfarë është diktatura autoritare dhe çfarë është autokracia elektorale. Janë sinonime të njëra-tjetrës. Janë regjime në të cilat pushteti përqëndrohet në një dorë ose në një grup. Janë regjime të cilat nuk zhvillojnë zgjedhje, të cilat e pranojnë pluralizmin dhe e shtypin pluralizmin. Siç është kjo. Kjo është klasike.
Por në dallim nga autokracitë e tjera elektorale, ky është narkoshtet. Lexoni përkufizimin e Fondit Monetar për narkoshtetin. Narkoshtet sipas FMN-së janë shtete në të cilat kanë infiltruar përfaqësuesit e drogës në të gjitha institucionet.
Më thuaj mua një institucion ku nuk janë përfaqësuesit e drogës. Më thoni një institucion. Di ti emrin e një institucioni që nuk ka përfaqësues të klaneve dhe karteleve të drogës. Njihni ndonjë?
Ju thoni pikërisht një ‘x’, nuk është.
Pyetje: Ja po mendoj Avokati i Popullit…
Sali Berisha: Avokati i Popullit nuk është institucion i shtetit, ai është një institucion krejt tjetër…
Pyetje: KLSH-ja …
Sali Berisha: KLSH-ja është institucioni më i agresuar nga narko-qeveria. A i pe, a i patë si ikën si minjtë ministrat, kur ai raportonte dhe ata ja mbathën si me magji, ikën. Kështu që ai është armik i regjimit.



