Shqiptarët po bëhen gradualisht më të ndërgjegjshëm për rëndësinë e pensioneve private si plotësim të pensioneve shtetërore. Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, fondet e pensionit privat kanë regjistruar një rritje të kontribuesve dhe të investimeve gjatë këtij viti.
Statistikat tregojnë se numri i kontribuesve në fondet private ka shkuar mbi 48 mijë, duke shënuar një rritje prej 8.7% krahasuar me fundin e vitit të kaluar, ose 3,938 kontribues të rinj vetëm gjatë janar-shtator 2025. Totali i aseteve neto të këtyre fondeve është 14.3 miliardë lekë, rreth 11.5% më shumë se në 2024. Investimet janë kryesisht në bono thesari dhe obligacione, me një rritje prej 15.7% të këtij lloji investimesh në krahasim me vitin e kaluar, duke arritur vlerën e 9.1 miliardë lekëve.
Megjithatë, përkundër rritjes së numrit të kontribuesve në skemën private, vetëm 5.8% e kontribuesve në sigurimet shoqërore japin edhe kontribut për pension privat, duke treguar se pjesa më e madhe e qytetarëve mbetet ekskluzivisht te skema shtetërore.
Në kuadër të reformës së pensioneve, qeveria shqiptare po bashkëpunon me Bankën Botërore për të rritur masën e përfitimit për ata që dalin rishtazi në pension. Një nga nismat e diskutueshme është zbatimi i kolonës së dytë, duke bërë të detyrueshme që një përqindje e pagës së punonjësve të shkojë për fondet private të pensioneve.
Aktualisht, funksionojnë 7 fonde private të pensioneve, me një ndarje të barabartë mes femrave dhe meshkujve, ndërsa ekspertët financiarë nxisin gjithashtu diskutime për përfshirjen e kolonës së tretë për të rritur sigurinë financiare në pleqëri.



