Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se në projektbuxhetin për vitin 2026 nuk është parashikuar ndonjë bonus fundviti për pensionistët.
Gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Bujqësisë, ai u pyet nga deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, nëse do të ketë shpërblim në dhjetorin e ardhshëm, por Malaj u shpreh se përgjigjja është negative.
“Në varësi të rritjes ekonomike do të vendosim nëse do të japim bonus fundviti në vitin 2026. Në projektbuxhet nuk është parashikuar, por me akt normativ, nëse ekonomia performon mirë, mund të japim një bonus. Bonusi kalkulohet në varësi të ecurisë ekonomike,” deklaroi Malaj.
Kjo deklaratë vjen pas qëndrimit te Kryeministrit Edi Rama, i cili ditë më parë në një intervistë televizive theksoi se shpërblimet për pensionistët varen nga performanca e përgjithshme ekonomike të vendit. Sipas Ramës, ekonomia shqiptare po përballet me sfida të reja globale dhe duhet ruajtur balanca buxhetore për të siguruar financa të qëndrueshme për të gjitha kategoritë.
“Ne duam që çdo vendim për bonusin të jetë i bazuar në realitetin ekonomik. Nëse ekonomia do të ecë sipas pritshmërive, mund të kemi fonde shtesë për pensionistët, por nuk mund të prekim qëndrueshmërinë e buxhetit vetëm për të mbuluar pritshmëritë sociale,” tha Rama.



