Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, prezantoi të premten draftin e Kodit të Ri Penal, i cili do të nisë që nga sot konsultimin publik. Ky projekt ka nisur punën që nga viti 2019 nga një grup ekspertësh të pavarur, nën drejtimin e profesor Arben Rakipit, dhe synon të përshtatet me standardet më të avancuara evropiane dhe kushtetutën e vitit 1998.
Manja theksoi se ndryshimet janë të domosdoshme për shkak të reformës në drejtësi dhe procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. “Kodi aktual nuk i përgjigjet më sfidave të kohës dhe zbatimi i tij paraqet vështirësi për gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët,” tha ai.
Sipas ministrit, drafti nuk është produkt i Ministrisë së Drejtësisë apo qeverisë, por është përpiluar nga grupi i punës, ndërsa Ministria ka rol vetëm organizues dhe mbështetës. Pas përfundimit të konsultimit publik, drafti do të dërgohet në Bruksel për certifikim dhe më pas do të kalojë në Kuvend për miratim.
Kodi i Ri Penal synon të harmonizohet plotësisht me ligjet evropiane, duke reflektuar jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut, dhe adreson format e reja të kriminalitetit që janë shfaqur me zhvillimet shoqërore dhe teknologjike.