Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë kërkesën për gjykim ndaj shtetasve: Musa Gjikola, Klodjan Muça, Sokol Masha, Erjon Dani, Emiljano (alias Millan) Roçi dhe Vilson Roçi, të cilët akuzohen për ndikim të paligjshëm dhe shpërdorim detyre.
Nga hetimet rezulton se gjatë vitit 2020, të pandehurit kanë kryer tre episode të veçanta, ku kanë kërkuar dhe përfituar shuma monetare që varionin nga 4 000 deri në 7 500 euro, me pretendimin se kishin aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë. Qëllimi i tyre ishte ndryshimi i masave të sigurimit personal dhe favorizimi në dhënie dënimi ndaj disa të arrestuarve.
Hetimet zbuluan gjithashtu se Erjon Dani, në kohën e ngjarjeve zëvendësshef i komisariatit dhe shef për krimet në Komisariatin Nr. 3 Tiranë, kishte shpërdoruar detyrën duke shpërndarë tek persona të tretë të dhëna të siguruara nga sistemi TIMS.
Dokumentimi i veprimeve të të pandehurve u realizua edhe përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar “Sky ECC”, të administruara nga autoritetet franceze të drejtësisë në kuadër të ndihmës së ndërsjellë juridike ndërkombëtare.
Ky procedim penal është ndarë nga procedimi penal nr. 177 i vitit 2023, për të cilin vijojnë hetimet ndaj disa personave të tjerë nën dyshimin për trafikim të lëndëve narkotike, ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Gjykimi ndaj të gjashtë të pandehurve pritet të nisë në ditët e ardhshme, duke u fokusuar kryesisht në aktet e ndikimit të paligjshëm dhe shpërdorimit të detyrës nga zyrtarët e drejtësisë.



