back to top
16.5 C
Tirana
E martë, 3 Mars, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaPas vendimit të gjykatës/ Përgjime të reja në dosjen e Ballukut

Pas vendimit të gjykatës/ Përgjime të reja në dosjen e Ballukut

Është bërë publik raporti i Partia Demokratike e Shqipërisë në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, ku rekomandohet heqja e imunitetit për ish-zv.kryeministren Belinda Balluku, në përputhje me kërkesën e Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Në raport theksohet se, sipas SPAK, Balluku dyshohet se ka përdorur persona me precedentë penalë, si dhe anëtarë të kabinetit të saj, për të intimiduar një dëshmitare të çështjes. Kjo e fundit ka deklaruar para prokurorëve se është tentuar të korruptohet për të ndryshuar dëshminë, duke u ndjerë njëkohësisht e frikësuar.

Lidhur me provat e administruara, prokurori Klodian Braho citohet të ketë deklaruar se materiali hetimor është me volum të jashtëzakonshëm. Sipas tij, nëse dokumentacioni do të printohej, do të mbushte disa automjete.

“Është thjesht një hard disk nga ana praktike, që po ta printosh, pa ekzagjerim mund të jenë dy apo tre furgonë me letra, por është në gjendje elektronike”, citohet ai në raport.

Në dokument shtohet se provat e paraqitura mbështesin përmbushjen e kushtit për ekzistencën e “dyshimit të arsyeshëm” për kryerjen e veprës penale. Sipas prokurorisë, në këtë fazë ato konsiderohen të mjaftueshme për të krijuar bindjen mbi ekzistencën e këtij dyshimi.

Nga ana tjetër, prokurorja Drita Prençi citohet të ketë deklaruar se ekziston një bisedë e përgjuar mes një personi të marrë të pandehur së bashku me Ballukun dhe një personi tjetër të përfshirë në çështje.

Sipas Brahos, kjo bisedë telefonike është zhvilluar pas vendimit të gjykatës për Ballukun, konkretisht më 20 nëntor 2025, një ditë pas vendimit të datës 19 nëntor 2025.

“Vendimi i gjykatës është i datës 19.11.2025, data kur është zhvilluar biseda telefonike është data 20.11.2025, pra është pas vendimit të gjykatës. Pyetët pak më parë se a ka një akt për hetim ndaj personit nën hetim, për procedurat e reja të prokurimit akti që atribuon është akti i prokurorit që urdhëron pasqyrimin në regjistër edhe të fakteve të reja dhe nuk ka akt tjetër. Pra, nuk është e nevojshme të nisë procedim tjetër penal. Për sa i përket bisedës që, ne e kemi paraqitur si provë, dyshohet se po ndikohet te personat e pyetur. Patjetër që ato fakte janë objekt hetimi, por deri në këtë moment nuk është atribuuar ndonjë fakt konkret personit në hetim për këtë bisede, por janë objekt hetimi”, thuhet në raport.

Prokurori thekson se akti që pasqyron faktet e reja në regjistër është urdhri i prokurorit dhe se nuk është e nevojshme nisja e një procedimi të ri penal. Ai shton se biseda e paraqitur si provë ngre dyshime për ndikim ndaj personave të pyetur, por deri në këtë fazë nuk i është atribuuar ndonjë fakt konkret personit nën hetim lidhur me këtë komunikim, pasi çështja mbetet objekt hetimi.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat