Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, vizitoi sot IEVP-në e Durrësit për të parë nga afër situatën pas vërshimit të ujit si pasojë e reshjeve intensive të orëve të fundit.
Lamallari tha se situata është monitoruar që nga orët e para të mëngjesit dhe janë marrë masat e nevojshme për normalizimin e gjendjes.
“Janë marrë të gjitha masat e nevojshme me stakimin e energjisë elektrike në katin e parë dhe evakuimin në katet më sipër. Në mbështetjen tonë kemi edhe pompat me kapacitet të lartë nga Ministria e Mbrojtjes për të larguar ujin”, tha ministri, duke shtuar se po funksionon edhe Komisioni i Emergjencave Civile në Durrës.
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, konfirmoi se situata është nën kontroll dhe po kryhen furnizimet e nevojshme me mjete logjistike për të siguruar funksionimin normal të institucioneve brenda burgut.



