back to top
4.5 C
Tirana
E shtunë, 17 Janar, 2026
spot_img
KreuAktualitetSocialePërmbytjet dhe ngricat shkaktojnë dëme të mëdha në bujqësi

Përmbytjet dhe ngricat shkaktojnë dëme të mëdha në bujqësi

Ngricat në fillim të vitit dhe përmbytjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar dëme të mëdha në prodhimin bujqësor dhe fidanët e sapombjellë në zonat me bujqësi intensive të vendit.

Emergjencat civile raportojnë se mijëra hektarë tokë në Lezhë, Shkodër, Berat, Lushnjë dhe Durrës janë përmbytur, duke krijuar humbje të konsiderueshme në bujqësi.

Mariglen Ziu, fermer në zonën e Beratit, pohoi se një pjesë e madhe e serrave u dëmtuan rëndë nga ngricat e ditëve të para të vitit, ndërsa ato që shpëtuan u zhytën nga uji i përmbytjeve.

Ervin Resuli, ekspert i çështjeve bujqësore, tha se i gjithë vendi po përballet me humbje të mëdha, që përfshijnë edhe ushqimin e gjësë së gjallë. Ai paralajmëroi se dëmtimi i prodhimit mund të sjellë kufizim të furnizimit në tregje dhe rritje të çmimeve, duke ndikuar në ekonominë kombëtare.

Sipas emergjencave civile, rreth 3,000 ha tokë bujqësore janë nën ujë në Lezhë, ndërsa në Berat janë përmbytur rreth 95 ha dhe në Fier rreth 200 ha. Në Shkodër, uji ka mbuluar edhe rrugën nacionale dhe tokat historikisht të prekura nga përmbytjet.

Dëmet nuk kufizohen vetëm te prodhimi, pasi shumë sera kanë pësuar dëmtime në skelet dhe plasmasë, ndërsa llumi do të vështirësojë rifillimin e mbjelljeve. Fermerët shqiptarë nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për t’u përballur me fatkeqësitë natyrore, ndërsa mbështetja qeveritare për bujqësinë është e ulët në raport me vendet e rajonit dhe BE-në.

Ekspertët pohojnë gjithashtu se skemat e sigurimit privat për fermerët nuk funksionojnë si duhet dhe mekanizmat e kompensimit nga fatkeqësitë natyrore janë të kufizuara, duke e bërë sektorin bujqësor veçanërisht vulnerabël ndaj këtyre katastrofave.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat