Momenti i leximit të pyetjeve dhe dhënies së përgjigjeve nga kreu i SPAK, Altin Dumani, në seancën e sotme në Kuvend, është shoqëruar me tensione.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndërhyri në momentin që Dumani po përgjigjej për pyetjet e deputetes Jorida Tabaku, duke kërkuar që pyetjet të lexoheshin dhe t’u jepej përgjigje një nga një.
Berisha i kërkoi kreut të SPAK që të mos kalonte pyetjet apo t’i anashkalonte:
“Lexoji të gjitha, të plota dhe përgjigju! Cila është pyetja, një për një, të lexohet dhe jo kështu. Lexohet njëherë pyetja e plotë dhe pastaj jepet përgjigja, nuk mund të bëhet kështu dhe hajt…”, u shpreh Berisha nga vendi.
Ndërhyrja solli reagimin e kryeparlamentarit Niko Peleshi, i cili i kërkoi Berishës të mos ndërhynte gjatë fjalës së kreut të SPAK. Megjithatë, Berisha këmbënguli që procedura të ndiqej sipas rendit të pyetjeve.
Ndërkohë, Altin Dumani i ishte përgjigjur një prej pyetjeve të deputetes Tabaku, lidhur me qëndrimin e tij në fund të mandatit:
“Jo, s’ka të bëjë fare, nuk dorëzohem. Nuk jam njeri që dorëzohem, i bëj ballë sfidave. Unë do të vazhdoj të jem prokuror i SPAK dhe të shërbej,” deklaroi Dumani.



