Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka rikthyer sërish sulmet ndaj ish-deputetit të PD, Ervin Salianjit, gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët. Berisha akuzoi Salianjin se mbron interesa private, të cilat sipas tij janë të dokumentuara, dhe theksoi se ai duhet konsideruar si i përjashtuar nga Partia Demokratike.
“Ndaj ju garantoj që ai ka vetëm interesa private, strikt private, të faktuara me dokumenta. I është thënë edhe anëtarësisë se ky zotëri ka përjashtuar veten nga Partia Demokratike. Kemi një nen, neni 24 i statutit; kur kapesh në shkelje flagrante të tij dhe të detyrojnë pastaj të shëtisësh poshtë e përpjetë, ajo është veprimtari private e jotja. S’ka asnjë lidhje me PD,” tha Berisha, duke iu referuar nenit 24 të statutit të partisë, i cili sipas tij justifikon përjashtimin e Salianjit.
Kreu i PD nuk la pa koment edhe thirrjet e kryeministrit Edi Rama për bashkëpunim në reformën zgjedhore dhe atë territoriale. Berisha i cilësoi këto iniciativa si “iluzion”, duke argumentuar se Rama nuk pranon asgjë që mund të kërcënojë pushtetin e tij.
Deklaratat e Berishës vijnë në një moment kur tensionet brenda PD dhe përplasjet politike me qeverinë kanë qenë në qendër të vëmendjes së opinionit publik.



