back to top
10.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Tetor, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaPërplasja te “Ligjet”/ Dumani-Bylykbashit:Të kam çuar prokurorët në mes të natës

Përplasja te “Ligjet”/ Dumani-Bylykbashit:Të kam çuar prokurorët në mes të natës

Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, është përballur me pyetje të forta nga deputetët e opozitës gjatë raportimit të tij në Komisionin e Ligjeve.

Debati u ndez pas akuzave të deputetit demokrat Oerd Bylykbashi, i cili e akuzoi SPAK-un se ka dështuar në parandalimin e krimit zgjedhor, pavarësisht ngritjes së një task-force të posaçme nga prokurorët e këtij institucioni.

Bylykbashi tha se opozita nuk mund të presë që të digjen disa palë zgjedhje njëra pas tjetrës, ndërkohë që SPAK po merret ende me hetime për krime zgjedhore të ndodhura katër vite më parë.

“Deputetët opozitarë nuk mund të presin të digjen tre apo katër palë zgjedhje, ndërkohë që SPAK heton sot për krime zgjedhore të zgjedhjeve të para disa vitesh,” – theksoi Bylykbashi.

Dumani: Task-forca nuk ka dështuar, por ka vend për përmirësim

Në përgjigjen e tij, Altin Dumani nuk ndau të njëjtin qëndrim me deputetin demokrat. Ai pranoi se task-forca e ngritur për krimet zgjedhore ka vend për përmirësim, por mohoi kategorikisht që ajo të ketë dështuar.

“Në zbatim të rekomandimeve të Kuvendit, krijuam një task-forcë, por unë nuk mund të them që task-forca ka dështuar. Ka vend për përmirësim, por jo për ta cilësuar dështim. Ne kemi marrë seriozisht çdo kallëzim nga çdo palë, duke kryer edhe verifikime në terren,” – tha Dumani.

Sipas tij, SPAK ka regjistruar 44 procedime penale që lidhen me krime zgjedhore, ndërsa ka nën hetim disa funksionarë të nivelit të lartë, përfshirë edhe kryetarë bashkish.

“Aktualisht kemi një kryetar bashkie të pandehur për korrupsion aktiv. Ky është një rast ku kemi parë korrupsion masiv. Kemi nën hetim një tjetër kryebashkiak dhe disa persona të arrestuar për këto zgjedhje. Në total, kemi 38 procedime të tjera që po ndiqen me prioritet,” – u shpreh kreu i SPAK.

“Jemi vetëm 20 prokurorë, nuk jemi as Policia e Shtetit as Dogana”

Dumani theksoi se kapacitetet njerëzore të institucionit që ai drejton janë të kufizuara, çka ndikon në kohën dhe intensitetin e hetimeve.

“Duhet ta kemi parasysh, jemi një institucion me vetëm 20 prokurorë. Nuk jemi as Policia e Shtetit, as Dogana. Megjithatë, jemi përpjekur të jemi të pranishëm në çdo rast të dyshuar për shkelje,” – tha ai.

Polemika me opozitën: “Sapo dërgoni denoncimin, në televizione del titulli ‘po blihen vota’”

Dumani kujtoi edhe raste konkrete gjatë procesit zgjedhor, ku kishte bashkëpunuar me vetë deputetin Bylykbashi në Durrës. Ai tha se SPAK ka reaguar menjëherë ndaj çdo pretendimi, madje ka dërguar prokurorë në terren edhe në mes të natës.

“Kemi pasur komunikim të drejtpërdrejtë, çdo pretendim tuajin e kemi verifikuar. Kemi dërguar prokurorë edhe në mes të natës. Por, ndërkohë që ne organizojmë punën për hetimin, në media shfaqen titra se ‘po blihen vota’ në këtë apo atë zonë. Këto gjëra duhet të thuhen siç janë,” – theksoi Dumani.

Ai shtoi se në çdo rast ku ka pasur indicie për shkelje, janë dërguar prokurorë në vendngjarje për verifikime të menjëhershme, duke përmendur rastet e hetuara nga prokurorët e SPAK gjatë zgjedhjeve të fundit.

“Ne kemi çuar dhe verifikuar çdo pretendim. Do të doja që të mos kishim asnjë rast, sepse jam po aq i shqetësuar sa ju për fenomenin e blerjes së votës,” – tha më tej Dumani.

Apeli i Dumanit: Më shumë bashkëpunim institucional

Në mbyllje të fjalës së tij, kreu i SPAK nënvizoi nevojën për bashkëpunim më të ngushtë midis institucioneve, përfshirë Policinë e Shtetit, KQZ-në dhe prokuroritë e tjera, në mënyrë që hetimet për krimet zgjedhore të jenë më efikase dhe parandalimi më i fortë.

“SPAK është i hapur për bashkëpunim me çdo institucion. Por suksesi në luftën kundër krimit zgjedhor kërkon angazhim të përbashkët dhe referime të sakta, në kohë dhe me prova konkrete,” – përfundoi Dumani.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat