Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka marrë vendim për ndalimin e hyrjes së deputetit të Partisë Demokratike, Asllan Dogjani, në ambientet e Pallatit të Sportit “Farie Hoti”, pas një incidenti të ndodhur këtë të hënë gjatë procesit të rinumërimit të votave për qarkun e Tiranës.
Vendimi erdhi pas një përplasjeje verbale mes Dogjanit dhe anëtarit të KAS-it, Ilir Rrusmajli, pas shpalljes si të pavlefshme të një vote që Dogjani pretendonte se ishte në favor të tij. Vota në fjalë rezultoi me shenjim jashtë kutisë së kandidatit, gjë që sipas rregullores së KQZ-së e bën të pavlefshme.
Në momentin kur KAS vendosi të mos e quajë të vlefshme votën, Dogjani reagoi me tone të ashpra ndaj trupës, veçanërisht ndaj Rrusmajlit. Incidenti detyroi anëtarët e KAS të firmosin një shkresë zyrtare për ndalimin e hyrjes së deputetit në mjediset ku zhvillohet procesi i rinumërimit.
Dogjani u largua më pas nga salla, ndërsa përjashtimi i tij pritet të ndikojë në përfaqësimin e Partisë Demokratike në fazat e mbetura të rinumërimit në këtë qark.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta politike dhe ngre pikëpyetje mbi tensionet e rritura që kanë shoqëruar procesin paszgjedhor në Tiranë.