Bashkimi Evropian po përballet me përçarje të thella mes shteteve anëtare përsa i përket qëndrimit ndaj sulmit të Izraelit ndaj Iranit, me disa vende që e konsiderojnë të ligjshëm në bazë të së drejtës ndërkombëtare, dhe të tjera që e kundërshtojnë hapur një interpretim të tillë.
Burime diplomatike nga Brukseli bëjnë me dije për Euronews se përplasja e mendimeve pritet të dalë në pah gjatë takimit të ambasadorëve të BE-së këtë të enjte, në prag të samitit të liderëve të unionit javën e ardhshme.
Në thelb të debatit qëndron interpretimi i nenit 51 të Kartës së OKB-së, i cili njeh të drejtën për vetëmbrojtje në rast sulmi të armatosur, por kërkon që ajo të jetë “e domosdoshme dhe proporcionale”. Disa shtete anëtare, sipas burimeve, nuk e shohin sulmin izraelit ndaj Iranit si të justifikueshëm me këtë standard.
Deklarata zyrtare e BE-së e lëshuar pas sulmit shmangu qëllimisht një qëndrim të drejtpërdrejtë për ligjshmërinë e veprimit izraelit, duke u fokusuar në thirrjet për përmbajtje dhe respekt të së drejtës ndërkombëtare.
Gjithsesi, sipas Euronews, rreth 15 vende anëtare – përfshirë Gjermaninë, Francën, Italinë, Austrinë dhe Hungarinë – kanë kërkuar të përfshihet në deklaratën zyrtare e drejta e Izraelit për vetëmbrojtje. Kundër kësaj janë rreshtuar shtete si Irlanda, Spanja dhe disa vende nordike, duke argumentuar se nuk ka prova të mjaftueshme që të justifikojnë ofensivën ushtarake ndaj Iranit.
Debati u ndez edhe më shumë pas një postimi të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila shkroi në rrjetin X se “Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten”. Kjo deklaratë është parë nga disa diplomatë si “e papërgjegjshme” dhe “e nxituar”, duke qenë se Këshilli i BE-së nuk kishte arritur një konsensus për një qëndrim të tillë.
Zëdhënësi i Von der Leyen mbrojti qëndrimin e saj, duke e justifikuar me përputhshmërinë me deklaratat e G7-ës, por kundërshtitë brenda BE-së mbeten të thella.
Kjo përçarje vë në pikëpyetje aftësinë e Bashkimit Evropian për të folur me një zë të vetëm në skenën ndërkombëtare dhe rrezikon të minojë rolin e tij si një aktor i balancuar në krizën gjithnjë e më të përshkallëzuar mes Izraelit dhe Iranit.