Kaseta audio që familja e Aleks Nikës i dorëzoi Prokurorisë së Posaçme si provë e re në hetimin e 21 Janarit, nuk ka mundur të ekspertizohet në laboratorët shqiptarë. Burime nga SPAK bëjnë të ditur se institucionet vendase, përfshirë laboratorin dixhital të SPAK-ut, nuk disponojnë kapacitetet teknike të nevojshme për një analizë të këtij niveli.
Për këtë arsye, Prokuroria e Posaçme ka vendosur që ta dërgojë materialin për ekspertim jashtë Shqipërisë, në një laborator të specializuar ndërkombëtar, i cili mund të verifikojë autenticitetin e regjistrimit dhe çdo ndërhyrje të mundshme teknike që mund të ketë ndodhur gjatë viteve.
SPAK kërkon burimin e regjistrimit
Sipas burimeve, familja e Aleks Nikës ka dorëzuar në SPAK një kasetë audio që përmban komunikime të supozuara të zinxhirit komandues të Gardës së Republikës gjatë ngjarjeve të 21 Janarit 2011.
Por kjo kasetë rezulton të jetë vetëm një kopje, ndaj SPAK ka kërkuar informacion shtesë nga familjarët, se si është siguruar regjistrimi, kush e ka realizuar dhe nëse ekziston pajisja origjinale me të cilën është bërë regjistrimi.
Ekspertiza e një materiali të tillë kërkon pajisje të avancuara për analizimin e frekuencave, identifikimin e zërave, datimin teknik të regjistrimit dhe zbulimin e çdo manipulimi të mundshëm, kapacitete që laboratorët shqiptarë nuk i zotërojnë.
21 Janari i rikthyer në hetim pas vendimit të Strasburgut
Rihapja e çështjes vjen pas vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, e cila e cilësoi vrasjen e katër protestuesve në 21 Janar si krim shtetëror, duke kritikuar hetimin e mëparshëm si të cunguar dhe joefektiv.
Në vijim të këtij vendimi, më 12 mars 2024, Gjykata e Lartë urdhëroi SPAK të nisë hetimet për vrasjen e katër protestuesve:
Ziver Veizi
Hekuran Deda
Faik Myrtaj
Aleks Nika
Protestuesit u qëlluan nga forcat e Gardës së Republikës gjatë protestës së opozitës së asaj kohe kundër qeverisë Berisha.
SPAK hap procedim me tre akuza të rënda
Në korrik 2024, SPAK regjistroi procedimin penal me tre vepra penale:
“Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim, “Shpërdorim detyre dhe “Pengim i zbulimit të së vërtetës”.
Ky është hetimi më i gjerë i ndërmarrë ndonjëherë për ngjarjen e 21 Janarit dhe përfshin jo vetëm veprimet e gardistëve në terren, por edhe komandën, komunikimet dhe detyrimet ligjore të strukturave shtetërore që menaxhuan protestën.
Procesi i mëparshëm: Vendime të kritikuara për dënime të ulëta
Në hetimin e parë të zhvilluar nga Prokuroria e Tiranës, vetëm dy zyrtarë të Gardës u dërguan në gjyq, ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, u dënua me 1 vit burg, gardisti Agim Llupo, i cili qëlloi me armë dhe u akuzua për vrasjen e Aleks Nikës, u dënua me 3 vite burg.
Vendimet u kritikuan si të papërputhshme me faktin se katër qytetarë u vranë gjatë një proteste, ndërsa Gjykata e Strasburgut vitin e kaluar konkludoi se hetimi nuk kishte arritur të zbardhte zinxhirin e vërtetë të përgjegjësisë.
Prova e re dhe pritshmëria për hetime të thelluara
Regjistrimi i ri audio, nëse rezulton autentik, mund të ketë rëndësi të madhe për hetimin, pasi pretendohet se përmban komunikime të gardistëve dhe eprorëve të tyre në momentet kritike të ditës së protestës.
Dërgimi i materialit jashtë vendit nënkupton edhe rritjen e saktësisë në analizë, por edhe zgjatjen e procesit, pasi ekspertiza të tilla kërkojnë kohë të konsiderueshme.



