back to top
6.5 C
Tirana
E enjte, 12 Dhjetor, 2024
spot_img
KreuAktualitetBotaPesë vjet pas zjarrit, rihapet katedralja Notre Dame

Pesë vjet pas zjarrit, rihapet katedralja Notre Dame

Katedralja ikonike në Paris, Notre Dame, zyrtarisht rihapi dyert e saj më 7 dhjetor, pas zjarrit më 2019 që pothuajse shkatërroi tërësisht ndërtesën 861-vjeçare.

Restaurimi, një arritje e jashtëzakonshme në pesë vjet për strukturën që iu deshën pothuajse dy shekuj që të ndërtohej, po shihet si triumf për presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili ka shtyrë përpara këtë projekt, pavarësisht krizave të brendshme politike.

Kjo ceremoni mblodhi në Paris liderët botërorë, të ftuar dhe besimtarë, dhe ky tubim po shihet si momente i rrallë i unitetit, në kohën kur bota po përballet me ndarje dhe konflikte.

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, Zonja e Parë amerikane, Jill Biden, Princi William i Britanisë dhe dhjetëra krerë shtetesh e qeverish. Një listë prej 1.500 të ftuarish përfshirë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani po marrin pjesë në ceremoninë e rihapjes të Notre Dame që mbahet nën harkun gotik të ndërtesës. Ceremonia udhëhiqet nga kryepeshkopi Laurent Ulrich.

Fillimisht, ceremonia ishte paraparë të mbahej në oborrin e Katedrales, por për shkak të erërave të fuqishme që janë paraparë për të shtunën, autoritetet kanë vendosur që e gjithë ceremonia të mbahet brenda Notre Dame.

Për udhëheqësin e katedrales, Olivier Ribadeau Dumas, ajo është “më shumë sesa një monument franceze” dhe është një trashëgimi e kulturës botërore.

“Katedralja është një simbol i jashtëzakonshëm i unitetit. Një shenjë e shpresës, sepse ajo që dukej e pamundur është bërë e mundur”, tha ai.

Ngjarjet e së shtunës janë një përzierje e traditave solemne fetare me ato kulturore.

Më vonë gjatë mbrëmjes të së shtunës, ndërkaq do të ketë një koncert brenda katedrales për të nderuar ata që punuan në rindërtimin e saj.

Pothuajse 170 peshkopë nga Franca dhe të huaj, së bashku me priftërinj nga 133 famullitë e dioqezës së Parisit do të marrin pjesë në ceremoninë e rihapjes.

Rihapja e Notre Dame ndodhi në kohën kur bota po përballet me trazira, me luftëra në Ukrainë e Lindje të Mesme.

Për të krishterët dhe për udhëheqësit e Notre Dame, ceremonia e rihapjes do të përçojë simbolin e unitetit dhe shpresës.

Siguria do të jetë e madhe gjatë gjithë fundjavës, ashtu siç ishte në Paris kur u mbajtën Lojërat Olimpike më herët gjatë këtij viti.

Île de la Cité – ishulli i vogël në lumin e Senës, që është shtëpi e Notre Dame – do të mbyllet për turistët dhe për personat jorezident dhe qase në të do të kenë vetëm të ftuarit dhe banorët e ishullit.

Pranë brigjeve të Senës, 40.000 spektatorë është thënë se janë akomduar, të cilët përcollën festimet përmes ekraneve të mëdha.

Për shumë, rihapja e Notre Dame nuk është vetëm një arritje e Francës, por e botës, teksa katedralja pritet të mirëpres 15 milionë vizitorë në vit, nga 12 milionë sa kishte pritur para zjarrit të madh.

Pas zjarrit të vitit 2019, shumë shpejt u mblodhën pothuajse 1 miliard dollarë donacione nga e mbarë bota, duke dëshmuar se Notre Dame është një monument që tërheq vëmendjen e gjithë botës./REL

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat