Avokati Edmond Petraj ka hedhur poshtë pretendimet e ngritura nga Sali Berisha dhe Partia Demokratike për ekzistencën e të ashtuquajturit “treni bullgar” gjatë zgjedhjeve të 11 majit, duke i konsideruar ato një strategji për të justifikuar humbjen elektorale.
Në një intervistë për mediat, Pretaj tha se veprimet e Berishës synojnë ndërtimin e një dosjeje për t’ua paraqitur ndërkombëtarëve, me qëllim që të vihet në dyshim legjitimiteti i procesit zgjedhor. Sipas tij, kjo është një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë politike dhe për të mbajtur pozicionin në krye të partisë.
“Treni bullgar nuk ekziston. Berisha kërkon thjesht të mbledhë disa dokumente për të pretenduar se ka patur parregullsi. Ky është një justifikim i pastër për humbjen. Teza që përdor nuk janë të besueshme dhe janë bërë tashmë të qesharshme,” tha Petraj.
Ai shtoi se Partia Demokratike po tenton të vonojë certifikimin e zgjedhjeve, ndërkohë që sipas tij, procesi është i pakthyeshëm dhe hyrja në Kuvend është e pashmangshme.
“Berisha nuk do t’i njohë zgjedhjet, por do të hyjë në Kuvend dhe në fund KQZ do i certifikojë rezultatet. Kjo është një mënyrë për të shmangur dorëheqjen që duhet të japë çdo kryetar partie pas humbjes,” deklaroi Petraj.