Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është shprehur kundër kërkesës së Kryeministrit për shqyrtimin në Gjykatën Kushtetuese të masës së pezullimit ndaj zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Gjatë seancës në Kushtetuese, përfaqësuesi i SPAK theksoi se nuk ekziston asnjë konflikt kompetencash mes Gjykatës së Posaçme (GJKKO) dhe Kryeministrit.
“Nuk konstatohet ekzistenca e një konflikti kompetencash. Nuk ka një ndërveprim mes Gjykatës dhe Kryeministrit. Marrëdhënia e pretenduar nga kryeministri buron nga Kushtetuta dhe nuk mund të pretendohet për konflikt kompetencash. A ka konflikt konkret mes GJKKO dhe kryeministrit? Kushtetuesja e ka argumentuar se çdo organ ka kompetencat e veta”, deklaroi prokurori i SPAK.
Sipas tij, kërkesa e Kryeministrit për shfuqizimin e vendimeve të gjykatës për masën e sigurimit personal apo interpretimin e nenit 103.3 të Kushtetutës nuk paraqet konflikt kompetencash mes pushteteve. “Masat e sigurimit janë vendime individuale penale me juridiksion penal dhe nuk krijojnë konflikt kompetencash. Kërkuesi nuk mund të përdorë këtë pretendim për të bllokuar hetimin penal ndaj ministrit, pasi ndjekja penale dhe vlerësimi i masës së pezullimit janë kompetenca ekskluzive të Prokurorisë së Posaçme dhe GJKKO-së, pra të pushtetit gjyqësor dhe nuk mund të cënohen nga ndërhyrja e pushtetit ekzekutiv”, shtoi SPAK.
Prokuroria e Posaçme vuri në dukje gjithashtu se masat e sigurimit janë të ankimueshme, dhe ekziston një procedurë e plotë ankimi në gjykatën e apelit dhe në Gjykatën e Lartë. “Pretendimi se pezullimi i zv.kryeministres ka penguar funksionimin e Këshillit të Ministrave ose kompetencat e Kryeministrit nuk qëndron. Masa ndaluese prek vetëm individin dhe nuk ndalon funksionimin e institucionit, ashtu siç lejon Kushtetuta për rastet e mungesës së përkohshme të ministrit. Masat e pezullimit kanë natyrë të përkohshme dhe janë të nevojshme për të siguruar vijimin e hetimit penal dhe nuk shkaktojnë pasoja të pariparueshme. Prokuroria i qëndron qëndrimit të saj se kërkesa e Kryeministrit në tërësinë e saj nuk duhet të pranohet”, tha SPAK.



