Deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, ka dalë sot pas rreth një ore nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme. I pyetur nga gazetarët mbi arsyen e paraqitjes në SPAK, Ndreca tha se ishte thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethana të një çështjeje hetimore.
“Jam për një hetim, në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e çështjes. Nuk flas dot për shkak se është nën hetim ende”, u shpreh ai, pa dhënë më shumë detaje.
Ndreca mohoi që paraqitja e tij të kishte lidhje me çështjen e tenderëve në polici, për të cilën ai është marrë më herët i pandehur, apo me hetimet që përfshijnë kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet aktualisht në paraburgim.
Megjithatë, ai nuk mohoi që ta ketë takuar Veliajn, duke lënë të kuptohet se kanë pasur një kontakt në ambientet e paraburgimit.
Më herët, Plarent Ndreca është marrë i pandehur për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, lidhur me kohën kur ai mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme.
Hetimet për tenderin e supervizimit të disa komisariateve të policisë kanë përmendur edhe emrin e ish-zëvendësministrit të Zhvillimit Urban, Gjon Radovani, si pjesë e zinxhirit të vendimmarrjes në këtë çështje.
Ndërkohë, SPAK vijon hetimet për një sërë tenderash të dyshimtë të zhvilluar në vite nga institucione të ndryshme publike, përfshirë edhe Ministrinë e Brendshme.