back to top
15.5 C
Tirana
E premte, 16 Janar, 2026
spot_img
KreuAktualitetKronikë“Plumbi i Artë”/ Diskutohet në seancë arratisja e Altin Ndocit

“Plumbi i Artë”/ Diskutohet në seancë arratisja e Altin Ndocit

Këtë të enjte nisi në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) seanca e radhës për dosjen e njohur si “Plumbi i Artë”, por në sallë u bë e qartë se Altin Ndoci nuk mund të shoqërohet, pasi ai është arratisur dhe shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit.

Avokati i tij, Aldo Shkëbi, kërkoi që gjykata t’i dërgojë një kërkesë policisë për informacion mbi vendndodhjen e klientit të tij, duke argumentuar se Ndoci mund të jetë edhe në banesën e tij. Nga ana tjetër, prokurorja e SPAK, Doloreza Musabelliu, theksoi nevojën që të merret informacion nga Policia e Shtetit mbi rezultatet e kërkimit.

Prokurori tjetër i çështjes, Behar Dibra, u shpreh se nëse Ndoci kishte dijeni për këtë seancë para arratisjes, kjo nuk përbën shkak për moszhvillimin e seancës, pasi ai vetëm një herë ka qenë i pranishëm fizikisht gjatë procesit gjyqësor.

Seanca u shty për më 20 janar 2026, ndërsa GJKKO vendosi që të përsëritet njoftimi për paraqitjen e Altin Ndocit dhe që ai t’i dërgohet Drejtorisë së Policisë së Shtetit, Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe komisariatit.

Altin Ndoci akuzohet nga SPAK për vrasje, pjesëmarrje në grup kriminal dhe vepra të tjera penale, si pjesë e dosjes “Plumbi i Artë”, që lidhet me masakrën e Bradasheshit, ku mbetën të vrarë vëllai i Erion Alibejt, Endrit Alibejt, xhaxhai i tij, Arben Dylgjeri, dhe një shtetas turk.

Ndoci konsiderohet një person me rrezikshmëri të lartë, ndërsa u arratis të martën nga spitali infektiv i Durrësit, ku kishte shkuar për vizitë mjekësore, duke qenë i shoqëruar nga punonjësit e policisë së Burgut të Durrësit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat