Ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, u paraqit sot në seancën paraprake të dosjes së tij në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit (GJKKO), ku kërkoi të njihet me fashikullin e hetimit që është ngritur ndaj tij.
“Dua të njihem me fashikullin e hetimit. Jeni të lutur të më vendosni në dispozicion materialet”, tha Meta gjatë seancës që u mbajt më 5 dhjetor.
Meta deklaroi gjithashtu se po i shkelen të drejtat kushtetuese, duke theksuar se nuk ka asnjë mundësi për të prishur prova apo intimiduar dëshmitarë. Ai u shpreh se mbajtja në paraburgim është e paarsyeshme, pasi sipas tij nuk përbën rrezik për zhvillimin e hetimeve.
“Po më shkelen të drejtat kushtetuese, duke mos më dhënë aktet, duke mos më vendosur asnjë provë që unë të bëj përgjigjet. Po mbahem në paraburgim pa të drejtë sepse nuk kam asnjë mundësi reale të prish provat, të intimidoj dëshmitarët, nuk kam publik dhe asnjë mundësi reale të prish provat,” deklaroi Meta.
Seanca e radhës pritet të vendosë për hapat e mëtejshëm në procesin ndaj ish-presidentit, ndërsa Meta kërkon akses të plotë në materialet e hetimit për të ushtruar të drejtën e tij për mbrojtje.



