Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit ka dhënë alarmin për qytetarët lidhur me qarkullimin e disa mesazheve SMS mashtruese që po shpërndahen së fundmi.
Sipas njoftimit zyrtar, këto mesazhe paraqiten në mënyrë të rreme si njoftime nga shërbime postare për dorëzimin e paketave dhe përmbajnë lidhje (linke) të dyshimta, duke kërkuar nga qytetarët veprime urgjente. Qëllimi i tyre është përvetësimi i të dhënave personale, vjedhja e informacionit bankar dhe marrja e aksesit të paautorizuar në llogaritë financiare.
Autoritetet theksojnë se këto janë tentativa mashtrimi dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal gjatë përdorimit të telefonit dhe shërbimeve online.
Në këtë kuadër, qytetarëve u kërkohet të mos klikojnë në linke të dërguara nga numra të panjohur, të mos japin të dhëna personale apo bankare dhe të mos ndjekin udhëzime që kërkojnë veprim urgjent pa verifikim paraprak.
Po ashtu, rekomandohet që mesazhe të tilla të fshihen menjëherë, të mos hapen dhe të mos ndërveprohet me përmbajtjen e tyre, ndërsa çdo rast i dyshimtë të raportohet pranë kontakteve zyrtare përkatëse.



