Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar sot një dokument të cilin e cilësoi si certifikatë të policisë greke, që sipas tij vërteton përjashtimin nga territori grek të gjyqtares Irena Gjoka në vitin 2002, me akuzën e falsifikimit të vizave.
Në një deklaratë të gjatë për mediat, Berisha sulmoi ashpër kreun e SPAK, Altin Dumanin – të cilin e quajti me ironi “Altin Troplini” –si dhe gjyqtaren Irena Gjoka, e cila aktualisht po gjykon çështjen ndaj tij.
Dokumenti i publikuar nga Berisha
“Tani do t’ju njoh me dokumente të reja. Kam sjellë këtu certifikatën e datës 24.11.2002, me të cilën policia greke vërteton se e ka përzënë Irena Gjokën nga territori i shtetit grek si falsifikatore vizash. Pra, Irena Gjoka është futur në Greqi duke falsifikuar vizën. Këtu e keni greqisht dhe shqip, së bashku me përkthimin zyrtar,” deklaroi Berisha.
Sipas tij, fakti që një gjyqtare me të kaluar të tillë gjykon dosjen e një ish-presidenti, ish-kryeministri dhe ish-kryetari të parlamentit përbën “skandal të paprecedent”.



Sulmet ndaj SPAK dhe drejtësisë
Ish-kryeministri akuzoi gjithashtu kreun e SPAK se mbron gjyqtaren Gjoka dhe e mban në sistem për interesa politike.
“Avokati i Irena Gjokës, Altin Troplini, e mban me çdo kusht këtë delinkuente, këtë kriminele në drejtësi. Imagjinoni ju: dosjen e një ish-presidenti e gjykon një falsifikatore vizash, një mashtruese që mbahet në detyrë nga sivëllau i saj, Altin Troplini. Ky llum ligjor, ky llum njerëzor, shkelmon mbi ligje, mbi fakte dhe mbi prova vetëm për qëllimet e tij politike, për të zgjatur jetën e Edi Ramës në pushtet,” u shpreh Berisha.
Ai shtoi se ky është “standardi i drejtësisë së kapur” dhe se vendime të tilla tregojnë varësinë politike të SPAK-ut dhe gjyqësorit.
Në përfundim, Berisha e cilësoi gjyqtaren Gjoka si “peng të urdhrave politikë” dhe si një figurë që nuk mund të gjykojë me integritet çështje të tilla madhore.
“Kjo është gjykatësja që gjykon dosjen e ish-presidentit, ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit të parlamentit. Ka të tillë në botë? Mund të ndodhë kund? Vetëm kjo delinkuente zbaton urdhra politikë. Ky është standardi i Troplinit,” deklaroi ai.