Policia e Shtetit ka konfirmuar zyrtarisht identitetin e autorit të ngjarjes së rëndë të ndodhur këtë të hënë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, ku u ekzekutua gjyqtari Astrit Kalaja.
Sipas njoftimit, rreth orës 15:40, gjatë një seance gjyqësore, Elvis Shkambi, 30 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të gjyqtarit Kalaja dhe palës tjetër në proces, duke shkaktuar një tragjedi të rëndë.
Nga të shtënat mbetën të plagosur edhe Rakip Kurtaj, 65 vjeç, dhe djali i tij Ervis Kurtaj, 45 vjeç, të cilët ishin pala tjetër në gjyq me familjen Shkëmbi. Të dy të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën, sipas të dhënave zyrtare.
Autori, djali i Gjon Shkëmbit
Mësohet se Elvis Shkëmbi është djali i Gjon Shkëmbit, i njohur për konfliktet e ashpra mbi pronat në Shkodër. Pikërisht ky proces gjyqësor kishte përballë familjen Shkëmbi me familjen Kurtaj, çka dyshohet të ketë sjellë shpërthimin e dhunës fatale brenda sallës së gjyqit.
Policia tha se shërbimet e saj shkuan menjëherë në vendngjarje dhe bënë të mundur arrestimin e autorit si dhe sekuestrimin e armës së krimit. Ai është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ku po merret në pyetje për të sqaruar motivet dhe rrethanat e ngjarjes.
“Në vijim do të jepet informacion më i plotë për ngjarjen”, – thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit, e cila paralelisht po kryen hetimet për mënyrën sesi arma u fut brenda ambienteve të gjykatës dhe si nuk u parandalua sulmi i rëndë.



