Edjona Dano është emëruar zyrtarisht në krye të Komisariatit të Policisë në Kuçovë, duke u bërë një nga gratë e para që mban një post të tillë drejtues në nivelet e strukturave vendore të Policisë së Shtetit.
Emërimi i Danos vjen pas një gare të hapur për pozicionin e shefit të komisariatit, ku ajo ishte e vetmja grua kandidate dhe arriti të renditej në listën fituese mes 290 aplikantëve nga e gjithë Shqipëria.
Me një karrierë të ndërtuar mbi profesionalizëm dhe integritet, Edjona Dano shihet si një figurë frymëzuese për shumë vajza dhe gra që synojnë pozita drejtuese në institucionet shtetërore, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe rendit publik.
Para këtij emërimi, Dano mbante detyrën e Shefes së Seksionit për Parandalimin e Dhunës në Familje dhe Mbrojtjes së të Miturve në Policinë e Tiranës. Ajo ka shërbyer gjithashtu si Shefe e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin nr. 6 në Tiranë, duke dëshmuar eksperiencë të thellë në çështje të ndjeshme dhe komplekse të sigurisë publike.
Emërime të reja në strukturat e Policisë së Shtetit
Krahas emërimit të Edjona Danos, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka bërë edhe disa ndryshime të tjera në nivele të ndryshme drejtuese:
-
Kleant Serdari – Shef i Komisariatit të Policisë Mallakastër
-
Bledar Metaj – Shef Sektori i Policisë Rrugore në DVP Vlorë
-
Florian Dano – Shef i Policisë Kufitare Dibër
-
Elvid Shehu – Komisariati i Policisë Kufitare Sarandë
-
Ferit Merkaj – Himarë
-
Kliton Zharri – Cërrik
-
Ajet Bega – Kurbin
-
Leonard Ndreka – Gramsh
-
Krenar Guçe – Zv.drejtor për krimet në Policinë e Elbasanit
-
Gentian Dedej – Pogradec
Këto lëvizje pritet të sjellin një rifreskim të qasjes në drejtimin e strukturave policore dhe të ndikojnë në përmirësimin e performancës së tyre në terren.